Lajme

Deliu: Kurti po manipulon një shoqëri sepse për të janë “masë analfabetësh”

10/04/2022 14:23
nga:G B

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se Kurti fitoren e sheh si aftësi personale për të manipuluar një shoqëri që sipas tij është masë analfabetësh, të cilëve nuk ua njeh punën e as nuk i respekton, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se sa me e thellë bëhet heshtja, aq më shumë trimërohen autokratët, sa më shumë trimërohen aq më shumë egërsojnë pushtetin, deri në asimilim qytetar.

Postimi i saj i plotë:

Kurti, kurrë s’e kupton fitoren e tij elektorale si besim të fituar nga qytetarët, por si aftësi personale për të manipuluar një shoqëri që sipas tij, meriton të manipulohet, sepse janë thjesht një “masë analfabetësh”. As nuk ua njeh punën, as nuk ua respekton mirëqenien!

Historia është e mbushur me shembuj të megalomanëve të tillë, si i kanë katandisur popujt e vendet e tyre. Por, barrën kryesore historia zakonisht ia mvesh mungesës së ndjenjës kolektive për t’i rezistuar padrejtësive. Dhe, sa me e thellë bëhet heshtja, aq më shumë trimërohen autokratët, sa më shumë trimërohen aq më shumë egërsojnë pushtetin, deri në asimilim qytetar.