Lajme

Zëdhënësi i AAK-së reagon për video-n e Vetëvendosjes: Prodhimi i fundit është shpërfaqje e metodave manipulative të tyre

10/03/2022 17:02
nga:Genita C

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lulëzim Blaka, ka reaguar për publikimin e një video-je nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën pati sulme të shumta ndaj partive politike si dhe ndaj ish-liderëve të vendit.

Blaka tha se prodhimi i fundit i VV-së është shpërfaqje e metodave manipulative të tyre.

“Prodhimi i fundit i agjitacionit dhe propagandës së VV-së, është shpërfaqje e metodave manipulative të tyre, metoda të përdorura gjatë tërë ekzistencës së tyre të fëlliqur në politikën kosovare:

– Gënjeshtra e orkestruar (shumë njerëz të ndryshëm, dalin me fjali të njëjta, në kohë të njëjtë)

– Përhapja e dezinformatave të tmerrshme për kundërshtarët (përhapje konstante, derisa dezinformata të shndërrohet në të vërtetë)”,thuhet në reagim.

Po ashtu Blaka tha se falë këtyre metodave manipuluese, sot ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Haradinaj ka “zbrazur rezervat shtetërore”, dhe se e ka “shitur Çakorrin e Zhlebin”.

“Në fakt Qeveria nuk ka qasje në rezerva shtetërore por as demarkimi nuk është temë e mbyllur.Mbjellja e gënjeshtrës në mënyrë të orkestruar, derisa ajo të bëhet “e vërtetë” në mendjen e masave. Për të arritur deri te kjo, VV mobilizon numër të madh të njerëzve, armatën fashiste të mediave sociale. Ata shpërndajnë gënjeshtra, apo gjysmë të vërteta, dhe të vërteta të shtrembëruara, në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarin”,tha ai.

Zëdhënësi i AAK-së, shtoi se Haradinaj ka qenë kryeministër vetëm 2 vjet, e jo 20.

“Haradinaj për 8 vjet radhazi, mbrojti Luftën Çlirimtare në Gjykatën e Hagës. Ai nuk gëzoi benificione siç pretendojnë VV-ja, por ishte në ballë të protestave opozitare, për tema të interesit nacional. Haradinaj, themeloi Ushtrinë e Kosovës dhe i vendosi tarifën 100% Serbisë. Ndërkohë VV-ja hoqi taksën, shndërroi Serbinë kampione në tregun kosovar, dhe realizoi vetëm 5% të buxhetit të paraparë për Ushtrinë”,theksoi ai, transmeton lajmi.net.

Blaka tha se sot e kemi qeverinë më të dështuar deri sot në Kosovë, qeveri e cilanuk ka realizuar as 5 përqind të planit të punës.

“Sot në fuqi e kemi qeverinë më të dështuar deri sot në Kosovë, qeveri e cila nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale. Kemi në pushtet, qeverinë e gënjeshtrës dhe mashtrimit, qeverisë së degradimit ekonomik, qeverinë e krizës energjetike dhe ngritjes enorme të çmimeve.Kemi në pushtet qeverinë që punësoi familjarët, kapi bordet, korrupsionit i dha model e formë të re, e që Kosovën po provon ta kthejë në sistem njëpartiak, pasi që ka nën kontroll të plotë edhe Presidencën, e ka tendenca për kontroll të gjyqësorit dhe mediave”,shtoi ai.