Lajme

Specialja publikon raportin e prokurorisë për kontrollin dhe sekuestrimin në shtëpinë e Shalës në Belgjikë

10/03/2022 14:36
nga:G B

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë publikuar në faqen e tyre zyrtare, raportin  e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), të 30 marsit 2021, për kontrollin dhe sekuestrimin në shtëpinë e Pjetër Shalës në Belgjikë.

Në raport thuhet se herët në mëngjesin e 16 marsit 2021, udhëheqësi i Operacioneve Hetimore të ZPS-së 5034, si koordinator i kërkimit të ZPS-së dhe anëtarë të tjerë të stafit të ZPS-së, së bashku me një përkthyes dhe një vëzhgues të pavarur, shoqëruan oficerët e Policisë Federale të Belgjikës në rezidencën e Shalëls në [REDAKTUAR].

Sipas raportit, ai u arrestua në rezidencën e tij nga oficerët e Policisë Federale Belge, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Raporti thotë se pas arrestimit, një oficer i Policisë Federale të Belgjikës, ndër të tjera, njoftoi atë se do të bëhej një kontroll në banesën e tij dhe i dorëzoi kopjet e vërtetuara në shqip dhe anglisht të urdhrit të kërkimit dhe sekuestrimit.

“Z. SHALA refuzoi të nënshkruajë për të pranuar shërbimin e Urdhrit të Kërkimit dhe Sekuestrimit. Pasi Policia Federale Belge e kishte informuar z. SHALA për të drejtat e tij sipas ligjit belg, Koordinatori i Kërkimit të ZPS-së  më pas e informoi Shalën ndër të tjera për të drejtat e tij në kuadrin e Dhomave të Specializuara në lidhje me bastisjen, duke përfshirë dhënien e kopjeve (në anglisht dhe shqip) të nenit 38 (3) të ligjit dhe rregullave 42 dhe 43”, thuhet tutje.

Sipas raportit, Sala përsëri refuzoi t’i merrte dokumentet e dhëna atij dhe gjatë kontrollit të mëvonshëm u ankua vazhdimisht se ai nuk i njeh Dhomat e Specializuara, autoritetin e saj ose dokumentet e lëshuara prej saj, apo autoritetin e oficerëve të ZPS-së ose Dhomave të Specializuara.

“Pasi u njoftua për të drejtat e tij, z. SHALA tha se ai nuk kishte avokat dhe pranoi të përfaqësohej gjatë kontrollit nga avokati i detyrës i caktuar nga Zyra e Regjistrimit. Avokati i detyrës, Emmanuelle RAOULT, mbërriti në orën 07:06. Z. SHALA deklaroi se ai jeton vetëm në katin përdhesë të ndërtesës dhe nuk ka sende në katet e tjera, [REDAKTUAR]. Avokati i detyrës dhe z. SHALA treguan se nuk donin të vëzhgonin kontrollin”, thuhet tutje.

Aty thuhet se në orën 7:12, Policia Federale Belge filloi kërkimin, me ndihmën e ekipit të kërkimit të ZPS-së.

“Ndërsa kërkimi përparonte, provat brenda fushëveprimit të Urdhrit të Kërkimit dhe Sekuestrimit u sekuestruan, u indeksuan dhe u vulosën nga Policia Federale Belge. Kërkimi u kufizua në katin përdhesë dhe bodrumin e ndërtesës dhe dy automjete të parkuara jashtë ndërtesës, [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë raport.

Ndërkaq, bëhet e ditur se Policia Federale Belge sekuestroi gjithsej 13 sende të gjetura gjatë kontrollit dhe renditi secilin artikull në një inventar dhe se kërkimet përfunduan në orën 9:05.

“Në përfundim të bastisjes, Koordinatori i Kërkimit të ZPS-së e informoi z. SHALA, avokatin e detyrës dhe vëzhguesin e pavarur se ata kishin të drejtë të vendosnin komente me shkrim dore në pjesën përfundimtare të raportit të kërkimit përpara se ta nënshkruanin atë. Z. SHALA refuzoi të nënshkruajë dhe avokati i detyrës nënshkroi pa koment”, thuhet tutje.

Kurse, thuhet se vëzhguesi i pavarur dha komente me shkrim, duke theksuar, ndër të tjera, se kërkimi shkoi pa probleme, prona ishte lënë ashtu siç ishte gjetur pa objekte të thyera dhe se ekipet e kërkimit belg dhe të ZPS “vepruan siç duhet dhe me respekt në lidhje me të akuzuarit” dhe shtëpinë e tij.

Sipas raportit, siç udhëzohej në urdhrin e kërkimit dhe sekuestrimit, ZPS-ja përpiloi një raport të njëkohshëm të kontrollit. Sendet e sekuestruara gjatë kontrollit u morën në ruajtje dhe magazinë të Policisë Federale Belge, në pritje të përfundimit të procedurave ligjore në Belgjikë.

Ndryshe, për këtë rast, trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka marrë vendim, me anë të së cilit ka caktuar konferencën përgatitore për gjykimin, në seancë të hapur, nga data 18 deri më 20 tetor 2022 në prani të ZPS-së, mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe Zyrës Administrative (Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve-ZMMD). Ndërsa, 21 tetorin e ka caktuar si ditë rezervë.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.