Sporti

Ardian Nuhiu flet para ndeshjes me Drenicën: E kemi analizuar kundërshtarin, duhet të japim më të mirën

09/30/2022 17:42
nga:Mergim Rreci

Në këtë fundjavë zhvillohen ndeshjet e radhës në Superligën e Kosovës.

Do të kemi disa takime interesante, me tri prej tyre që zhvillohen të shtunën, kurse dy të tjera të dielën, shkruan GazetaBlic Sport.

Drita do të përballet me skuadrën e Drenicës, atje ku pritet të jetë një takim shumë i rivalizuar. “Intelektualët” nuk e kanë pësuar asnjë humbje deri më tash dhe janë në krye të tabelës, kurse skuadra nga Skenderaj poashtu nuk e ka nisur keq kampionatin, ku nga 8 ndeshje ka 3 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.

Trajneri, i Dritës, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Kastriot Selmani kanë njoftuar për përgatitjet dhe pritjet për ndeshjen e nesërme.

Trajneri Nuhiu theksoi se kampionati sa vjen e rivalizohet dhe nesër do të kenë një kundërshtar aspak të lehtë, me të cilin duhet dhënë maksimumin.

“Kemi ndeshje me një skuadër që po kalon një formë të mirë, një skuadër e cila taktikisht luan mirë dhe futbollistë cilësorë. Nuk diskutohet ne kemi analizuar kundërshtarin, kemi përgatitur ekipin këto dy ditë sa kemi pasur kohë për t’u përgatitur për ndeshjen e nesërme. Duhet me përqendrim dhe vlerësim maksimal t’i qasemi ndeshjes dhe të kthehemi te fitoret. Duhet të japim më të mirën tonë, qoftë edhe nga ndeshja e nesërme. Nga ndeshja në ndeshje e shoh skuadrën duke u rritur, por nuk ka kundërshtar të lehtë, prandaj duhet të bëjmë maksimumin tonë”, ka thënë Nuhiu.

Selmani theksoi se do të japin maksimumin ashtu siç e bëjnë në çdo ndeshje kampionale.

“Kemi punuar mjaft shumë gjatë stërvitjeve dhe kemi zhvilluar mjaft taktika në këto përgatitje. Mendoj që ato që i kemi stërvitur do t’i zbatojmë nesër në ndeshje. Jemi gati dhe do ta japim maksimumin si në çdo ndeshje tjetër kampionale”, ka thënë Selmani.

Tutje, Nuhiu theksoi se kampionati sa vjen e rivalizohet dhe tani e tutje nuk do të kenë kundërshtar të lehtë, sado që klubi ka ecurinë më pozitive.

“Gjithmonë kërkojmë maksimumin, por nuk jemi vetëm në garë dhe kemi edhe kundërshtarë të cilët kanë qëllimet e tyre. Do të kërkojë gjithmonë nga skuadra të përmirësohemi, të marrim edhe më tepër, sepse e kemi mundësinë dhe futbollistët tanë kanë cilësi. DRITA është nivel tjetër dhe kërkoj nga skuadra të kërkojmë maksimumin tonë, sepse ndeshjet do i bëjmë të lehta kur jemi në maksimumin tonë. Deri më tani kemi ecuri pozitive, por dhe kampionati sa vjen e rivalizohet. Tashmë, jemi takuar thuajse me të gjitha ekipet, i njohim më mirë dhe e kemi edhe më të lehtë për t’i analizuar kundërshtarët me të cilët do të përballemi. Duhet të bëjmë maksimumin tonë, pastaj të shohim edhe ecurinë e të tjerëve”, përfundoi Nuhiu.