Lajme

Trump paralajmëron një luftë të re

09/29/2022 15:55
nga:Astrit Gashi

Sabotimi që dëmtoi tubacionet e gazit “Nord Stream One” dhe “Nord Stream Two” mund të çojë në përshkallëzim apo edhe luftë, paralajmëroi Donald Trump.

Ai në rrjetin e tij social “Truth Social” ka shkruar se ndërsa të gjithë flasin për uraganin e madh që goditi Florida, situata rreth gazsjellësit mund të ketë pasoja më të rënda.

“Ndoshta një ngjarje shumë më e rëndësishme në terma afatgjatë është njoftimi se tubacionet e gazit Nord Stream One dhe Two jashtë Rusisë janë sabotuar. Kjo mund të çojë në një përshkallëzim të madh ose luftë,” tha Trump.

Trump kujtoi se gjatë mandatit të tij si president i SHBA-së, ai paralajmëroi se sa shumë mbështetja në tubacionin rus të gazit mund të dëmtojë Gjermaninë dhe pjesë të tjera të Evropës, raportoi Tass. “Të gjithë po qeshnin atëherë, por ata nuk po qeshin më”, tha Trump.

Gazeta suedeze “Svenska dagbladet” ka njoftuar sot se një rrjedhje gazi është zbuluar në vendin e katërt në gazsjellësit e dëmtuar Nord Stream një dhe dy.