Lajme

Raporti për vizat, kryediplomati çek viziton sot Kosovën

09/29/2022 07:29
nga:Y I

Presidenca çeke e BE-së do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, i cili sot vjen në Prishtinë.

Në orën 11:00, kryediplomati çek do të takohet me zëvendësministrin e Kosovës, Besnik Bislimin

Pas takimit, ata do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Lipavský më pas do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Europën që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet që prej disa vitesh.

‘Zbrapsja’ thuhet se vjen nga Franca, por edhe një pjesë e vogël e vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Qipron dhe Sllovakinë.

“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për ta shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, citohet të ketë thënë Lipavský para dy ditësh.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështetet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Europian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga shtetet anëtare gjatë vjeshtës”, ka shpjeguar ministri çek.

Për ta miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare që përfaqësojnë 65% të qytetarëve të BE-së.