Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka thënë se është bërë një keqkuptim në lidhje me rritjen ekonomike për vitin 2022.
Sipas tij, ky keqkuptim është bërë qëllimshëm, pasi thotë se deklaratat kanë qenë mjaft të qarta.
“Parashikimet e BQK-së, sipas institucionit më kredibil për analiza dhe rekomandime rreth proceseve ekonomike, është ai që është prezantuar sot, ndërsa në qoftë se dëgjohet me vëmendje deklarata e Kurtit, ai flet për periudhën kohore 18 mujore, ndërsa ndalet në 3-mujorin e parë të vitit 2022, ku e paraqet një rritje ekonomike prej 4.9 për qind”.
“Mirëpo, një devijim i tillë apo një tentativë e ndezjes së një debati të këtillë nuk i bën nder Kosovës. Për mua më e logjikshme do të ishte pyetja se në çka bazohet rritja prej 4.9 për qind sesa a u përfshinë tre muaj apo një vit”, është shprehur Gërxhaliu në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se parashikimi i BQK-së për rritje ekonomike prej 3.9% për vitin 2022 është kredibil dhe i pranuar ndërkombëtarisht.
“Se janë kredibile, nuk e them unë, por e thotë Banka Botërore, FMN-ja por edhe e dëshmon edhe Komisioni Evropian”, është shprehur Gërxhaliu.


