Kombëtarja e Kroacisë ka fituar mbrëmë ndaj Austrisë në udhëtim me rezultatin 1:3, për t’u kualifikuar në “Final Four” të Ligës A të Ligës së Kombeve.
Pas ndeshjes, Luka Modric, kapiteni i Kroacisë tha se kombëtarja e tij po luan mjaft mirë në ballafaqimet e fundit, përcjell GazetaBlic Sport.
“Kemi luajtur një lojë shumë të mirë. Filluam mirë, kaluam në avantazh, por pranuam një gol shumë të shpejtë. Austria ishte më e mirë në një periudhë, pati dy raste shumë të mira, por falë Zotit nuk shënuan. E dinim që duhej të rrisim ritmin tonë dhe të jemi më vertikalë në pjesën e dytë, ne e bëmë këtë dhe shënuam dy gola. Tani jemi në Final Four ku donim të ishim, ky është një sukses i madh për futbollin kroat”, tha Luka Modric për mediat kroate pas ndeshjes.
Ai potencoi gjithashtu se kombëtarja e tij do të jetë e rrezikshme për të gjithë në Botëror.
“Botërori është përpara nesh, pesë ndeshjet e fundit janë një udhërrëfyes se si duhet të luajmë dhe si duhet të sillemi, si të trajtojmë fanellën, nëse vazhdojmë kështu në Katar do të jemi të rrezikshëm për të gjithë. Nuk do ta krahasoja këtë ekip me atë të Rusisë. Kemi një ekip të mirë, alternativa të mira”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


