Sot janë duke u zhvilluar zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, ku për të parin e kësaj partie po kandidon vetëm kryetari aktual, njëherit edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Teksa është prononcuar për procesin zgjedhor të brendshëm në Vetëvendosje, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk ka rreshtur së arsyetuari suspendimin e demokracisë që po aplikon subjekti i tij, duke vënë në garë vetëm një kandidat për kryetar partie.
Konjufca madje tha se “një lidership i suksesshëm nuk sfidohet nga anëtarësia”.
“Nuk është anti-demokratike. Një lidership i suksesshëm nuk sfidohet nga anëtarësia”, ka thënë Konjufca pas votimit.
Derisa, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Konjufca tha se kandidimi vetëm i Kurtit ishte qëndrimi i të gjithë anëtarëve të partisë, pa përjashtim.
“Për Kryetar të VETËVENDOSJE, sot vetëm Albin Kurti nuk ka kundërkandidat. Jo për shkak të asaj që thonë oponentët tanë politikë, por sepse ky ishte qëndrimi i të gjithë anëtarëve tanë të partisë, pa përjashtim. Shtoja kësaj që, kandidimi i dikujt vetëm sa për sy e faqe, nuk i shërben demokracisë, por përkundrazi e dëmton seriozisht atë”, shkroi ndër tjerash Konjufca.


