Kornizën e re të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, deputeti i PDK-së, Ferat Shala e quan të panjohur, raporton GazetaBlic.
Shala në një prononcim për GazetaBlic, thotë se kjo kornizë e re e dialogut është hedhur në treg, në kohën kur zhvillmet mes Kosovës dhe Serbisë janë të mëdha, por sipas tij janë pa transparencë e pa llogaridhënie.

“Çështje e kornizës së dialogut, për mua është ende diçka e panjohur. Është pozicion i ri që është hedhur në tregun politik në prag të zhvillimeve tepër të mëdha të dialogut që po bëhen nga Qeveria Kurti dhe Qeveria serbe, pa transparencë dhe pa llogaridhënie të Qeverisë para Kuvendit”, tha Shala.
Shala shton faktin se Qeveria Kurti e ka oblig që të raportojë para Kuvendit nivelin e dialogut dhe shkallën në të cilën kanë arritur, përmes bisedimeve të fundit.
“Për të larguar të gjitha dilemat, të gjitha debatet të cilat shumë herë janë të paargumentuara , obligimi i Qeverisë është që raportojë para Kuvendit dhe të sqarojë nivelin e dialogut, platformën, kornizën dhe të gjitha gjërat tjera që kanë ndodhë dhe do të ndodhin brenda raportit të bisedimeve”.
“Deri sa të kemi një pasqyrë të sinqertë të ekipit negociator në krye me kryeministrin, faktikisht do të zhvillohen teori të ndryshme konspirative”, përfundoi Shala.
Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i tha GazetësBlic se nuk është hera e parë që në medie shpalosen marrëveshje të tilla me Serbisë.

Lekaj thotë se këto marrëveshje që janë publikuar edhe më parë, janë demantuar edhe nga Kosova dhe nga bashkësia ndërkombëtare.
“Nuk është hera e parë që shpalosen në media korniza marrëveshjesh me Serbinë. Prej se ka filluar dialogu me shtetin serb, në opinion kanë qarkulluar disa variante të marrëveshjes të me Serbine, por që me kohë janë demantuar, si nga pala e shtetit tonë por edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Lekaj.
Lekaj thotë se korniza e fundit e publikuar e marrëveshjes nuk është sjellur ende në tavolinë për ta trajtuar, dhe kjo sipas tij mjafton që mos të komentohet.
“Sa i përket kornizës së marrëveshjes e publikuar së fundi, konsideroj që përderisa nuk na është sjellur zyrtarisht në tavolinë për ta trajtuar, nuk mund ta komentojmë si të tillë”, tha Lekaj.


