Lajme

Jasharaj: Shpresoj që qeveria të lëvizë nga qëndrimet “merre ose lëre”

09/20/2022 12:40
nga:Astrit Gashi

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së Rrahman Jasharaj, tha se deklarimi i Avokatit të Popullit Naim Çelaj, është tejet optimist.

Jasharaj tha se mirëpret ndihmën e Avokatit të Popullit në këtë drejtim.

Ai theksoi për Klankosova.tv se ende nuk ka shenja se qeveria ka lëvizur nga qëndrimet e tij.

“Deklarimi i Avokatit të Popullit është tejet optimist. Ne i kemi vërejtjet tona sa i përket letrës së tij. SBASHK-u dhe BSPK-ja do t’i japin vërejtjet e veta nëpërmjet një letre që do t’ia nisin Avokatit. Ne urojmë që qeveria të lëviz nga qëndrimet e saj të barrikaduara “merre ose leje”- tha Jasharaj.

I pari i SBASHK-ut shtoi se shpreson që të ketë hapa pozitive në këtë drejtim.

“Ne preism që të ketë hapa pozitive në këtë drejtim. Avokati i Popullit me gjasë është i pranueshëm edhe nga Qeveria si ndërmjetësues. Pres që të ulemi dhe të diskutojmë me të gjitha palët sepse avokati nuk vendos si individ, por Këshilli Grevist. Deri më tani s’kemi sinjale se diçka ka lëvizur në këtë drejtim. Nuk kemi sinjal as për ndonjë takim” – shtoi ai.

Rrahman Jasharaj tha se Avokati ndoshta ka detaje që të tjerët nuk i dijnë dhe pret që ato t’i ndajë me palët.

“Se ndoshta mund të arrihet marrëveshje unë nuk e di. Ndoshta e di avokati, ka ndonjë informacion apo sinjal nga Qeveria. Unë pres që ato t’i ndajë me palët” -tha i pari i Këshillit Grevist të BSPK-së.

Ndërkaq Avokati i Popullit Naim Çelaj, tha se grevistët dhe qeveria janë përafruar drejt një marrëveshje.

Çelaj pati thënë se marrëveshja mund të arrihet në ditën e sotme.