Lajme

Lladrovci-Kurtit: Kryeministër, lufta ka përfunduar me fitoren tonë/ Po mundohesh ta mjegullosh grevën me retorikën e luftës

09/18/2022 16:14
nga:Genita C

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i ka reaguar kryeministrit Kurti për deklaratën e fundit që e dha në lidhje me luftën, raporton GazetaBlic.

Sipas Lladrovict, greva e mësimdhënësve, çmimet dhe inflacioni, papunësia e shumë gjëra të tjera po mundohen të mjegullohen me retorikën e luftës.

“Kryeministër, lufta ka përfunduar me fitoren tonë, jemi çliruar, kemi institucione shtetërore të sigurisë, të drejtësisë, këtë e kanë arritur gratë dhe burrat para jush. Të gjitha i kemi arritur në bashkëpunim me aleatët tanë. Këto i kemi arritur me përkushtim, me sakrificë dhe shumë mund”, shkruan Lladrovci.

Postimi i plotë:

Java e tretë pa mësim…ky prioritet po mjegullohet me retorikën e luftës!

Retorika e luftës, Kryeministër, përcillet me rreziqet që bart fillimi i psikozës së luftës, por te një pjesë shfaqet edhe me panik. Kujt i duhet paniku?

Informacionet, nëse i disponon një kryeministër dhe shpalos nëpër media ndërkombëtare, janë të lidhura me detyrën, me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të kryeministrit. Por, publikimi i informacioneve të klasifikuara, përbëjnë vepër penale.

Energjia, greva e mësimdhënësve, çmimet dhe inflacioni, papunësia, ikja e të rinjve nga shteti, mungesa e investimeve dhe projekteve kapitale, mungesa e perspektivës, investitorëve dhe investimeve strategjike, janë prioritete.

Kryeministër, lufta ka përfunduar me fitoren tonë, jemi çliruar, kemi institucione shtetërore të sigurisë, të drejtësisë, këtë e kanë arritur gratë dhe burrat para jush. Të gjitha i kemi arritur në bashkëpunim me aleatët tanë. Këto i kemi arritur me përkushtim, me sakrificë dhe shumë mund.

Gjetja e zgjidhjes për grevën e mësimdhënësve është prioritet. Nesër nxënësit duhet ta fillojnë mësimin, është java e tretë që presin këtë ditë. Ky prioritet nuk do mjegulluar me retorikë për luftën!