Lajme

Gashi: Zgjerohet aleanca e vendeve të BE-së për Kosovën

09/17/2022 00:00
nga:Astrit Gashi

Vizitat e emisarëve politikë të vendeve të BE-së duket qartë se dialogu mes Kosovës e Serbisë po hyn në një dinamikë të re. Kjo flet për vëmendjen më të madhe për të shtyrë agjendën e dialogut Kosovë- Serbi më përpara dhe që kjo po dëshmohet me vizitat e Lajçakut, pastaj të emisarëve të tjerë politikë të vendeve me ndikim në BE.

“Shpresoj e besoj se në muajt në vijim do të jetë një tempo më e madhe për këtë çështje, është përmendur edhe korniza për dialogun, dukë përfshirë çështje që mund të diskutohen që Kosova e Serbia ta dinë se çka duhet të arrihet”, deklaroi analisti Drilon Gashi në RTK.

E, lidhur me dialogun dhe finalizimin e saj me njohjen reciproke, Gashi sqaroi se Serbia ka deklaruar se kjo çështje është “jashtë tavolinës së saj”, që sipas tij, kjo ndihmon Kosovën që të merret më seriozisht me çështje të brendshme, siç është ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Teksa përmendet dialogu, ndërkohë u cek edhe korniza e saj, që, për analistin politik Drilon Gashi, kjo bëhet për arsyen që Vuçiq ta rrisë ndikimin e tij në Serbi.

Ndërsa lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, Gashi theksoi se pala kosovare duhet të jetë e kujdesshme dhe të jetë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, veçmas me atë amerikan, ngase partia që përfaqësojnë ata në institucionet shtetërore të Kosovës është nën sanksione të SHBA-së.

Tutje, Gashi foli për situatën në rajon e më gjerë, që, sipas tij, lufta në Ukrainë ka ndikuar që të kthehet vëmendja në rajonin ballkanik, në veçanti në situatën mes Kosovës e Serbisë.

“Lufta ne Ukrainë, ka këndellur BE-në, ndonëse ka larguar paksa vëmendje nga Kosova. Por prapë duket se përfaqësuesit e BE-së kanë shtuar vëmendjen ndaj Kosovës për të penguar ndikimin rus. Të vëmendshëm po tregohen Poloni, si dhe shtet baltike”, shtoi ai.

E, kur është fjala për integrimin në BE dhe për vizat, Gashi theksoi se deklaratat e liderëve të vendeve më me ndikim në BE, Gjermani, Francë, Poloni, do të ndihmojë shumë Kosovën në këtë çështje.

Ndërsa deklarata e Vuçiqit se populli serb nuk dëshiron integrimin në BE, për analistin Gashi do të thotë se kjo ka të bëjë më shumë në joshjen e vendeve të BE-së ndaj vendit të tij, që për Kosovën paraqet një lloj sfide që t’i bindë aleatët e saj që Kosova është e përkushtuar për integrim në BE.