Situata aktuale ku nuk shihet asnjë përafrim i palëve për të gjetur një marrëveshje për dhënien fund të grevës dhe rikthimin e fëmijëve në bankat shkollore më së shumti është duke i brengosur prindërit.
Nexhmi Hoxha nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka thënë në “RTK Prime” se është përkeqardhje fakti që fëmijët e Kosovës nuk e kanë filluar as këtë vit procesin mësimor në kohën e duhur.
“Është dashur që edhe parlamenti t’i ndërprejë pushimet në mënyrë që mos t’i japin pushim fëmijëve tanë. Është shqetësuese për neve si Këshill i Prindërve që as sindikata në njërën anë nuk shqetësohet që tash e 11 ditë fëmijët tanë nuk janë në shkolla, por të them të drejtën as Qeveria nuk shqetësohet fare për kohën e humbur të fëmijëve tanë. Në këtë rast edhe opozita bën lojën e saj dhe nuk del me qëndrime, por vetëm thuhet duhet të realizohen kërkesat. Nuk është vetëm faji i kësaj qeverie, por edhe i pushteteve të kaluara që e kanë lënë arsimin në këtë gjendje”, ka theksuar Hoxha, raporton RTKlive.
Ai e ka vlerësuar të pafalshme faktin që fëmijët e Kosovës nuk e kanë filluar mësimin me 1 shtator si dhe lënien e 300 mijë fëmijëve në dorë të një sindikate, e cila sipas tij kur don e hap grevën dhe kur don e mbyll.
“Nëse ne si shoqëri, edhe qeveria edhe parlamenti, e edhe partitë opozitare nuk i lënë anash inatet personale dhe përfitimet në kurriz të fëmijëve, atëherë ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të kemi probleme të tilla”, ka nënvizuar Hoxha.


