Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është dhënë fjala përfundimtare, ku pala paditëse F.K, pas precizimit të padisë, kërkoi kompensim dëmi prej 321 mijë euro nga Komuna e Prishtinës për diskriminim, për mungesë të hapësirave publike të përshtatshme për persona me aftësi të kufizuara.
Fjalën përfundimtare, përfaqësuesit e palëve ndërgjyqëse Sylejman Klinaku dhe Burim Azemi, e kanë dorëzuar me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përfaqësuesi i paditësit K., Sylejman Klinaku ka deklaruar se qëndron pranë të gjitha deklarimeve të dhëna më herët dhe pranë padisë së ushtruar në këtë gjykatë.
I njëjti ka thënë se vështirësitë që K. i ka hasur çdo ditë gjatë jetës së tij si person me aftësi të kufizuara dhe përdorues i karrocës, janë vërtetuar edhe me ekspertizën e urbanizmit dhe me sqarimet e dhëna nga ekspertja në seancën e kaluar.
“Veprimet e të paditurës kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe rrugët që nuk i plotësojnë nevojat e paditësit”, ka shtuar Klinaku.
Në fund të fjalës përfundimtare, Klinaku ka thënë se kërkon nga gjykata që të vërtetohen diskriminimet ndaj paditësit dhe në emër të dëmit material dhe jomaterial, si dhe paditësja t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 321 mijë euro si dhe shpenzimet e procedurës.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, avokati Burim Azemi, ka thënë se të gjitha pretendimet e paditësit të elaboruara në fjalën përfundimtare, nuk kanë të bëjnë as me diskriminim të tërthortë as direkt nga ana e Komunës së Prishtinës.
Po ashtu, i njëjti ka shtuar se edhe ekspertja e urbanizmit gjatë sqarimit të ekspertizës së urbanizmit, ka theksuar se jo vetëm në rastin konkret por kushtet dhe standardet e rrugëve dhe hapësirat publike nuk i plotësojnë kushtet adekuate jo vetëm për persona me aftësi të kufizuara, por edhe për persona tjerë të cilët një moment të jetës mund të kenë vështirësi në lëvizje.
Ndërkaq, gjykatësi Dren Rogova ka konstatuar se shqyrtimi gjyqësor lidhur me këtë çështje kontestimore ka përfunduar.
Sipas padisë për mbrojtjen nga diskriminimi dhe ndalimin e trajtimit diskriminues, të 12 dhjetorit 2018, thuhet se si rrjedhojë e pengesave fizike në rrugë dhe trotuar, me të cilat menaxhon e paditura Komuna e Prishtinës, konkretisht Drejtoria për Shërbime Publike, paditësi F.K, me shumë vështirësi arrin t’i marrë shërbimet e domosdoshme për të.
Ndryshe sipas padisë, paditësi pretendon se e paditura, duke mos rregulluar infrastrukturën, ka bërë dhe vazhdon të bëjë diskriminim ndaj tij, ngase mungesa e qasjes sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, paraqet diskriminim.
Në padi thuhet se për çdo shërbim në Komunën e Prishtinës, paditësit i nevojitet ndihma e të paktën dy personave për asistim, e gjitha për shkak të mungesës së qasjes nga ana e të paditurës.
Në këtë mënyrë, ai pretendon se e paditura jo vetëm se e ka trajtuar ndryshe, por i ka humbur edhe mundësinë të jetë pjesë e shoqërisë, për çka ndihet i ofenduar për cenim të dinjitetit të tij njerëzor.
Me këtë padi, paditësi K. ka kërkuar nga e paditura Komuna e Prishtinës, t’i kompensohet dëmi material në shumë 3 mijë euro dhe dëmi jomaterial në shumë 10 mijë euro.
Kurse në përgjigjen në padi, e paditura Komuna e Prishtinës ka konsideruar se kërkesëpadia e paditësit është plotësisht e pabazuar, sepse e njëjta nuk është mbështetur në asnjë provë relevante.


