Policia e Kosovës (PK) njofton se ka arrestuar një person në Pejë, nën dyshimin se i njëjti ka mashtruar me bileta udhëtimi, duke përfituar mbi 10 mijë euro.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se më 12 shtator 2022, rreth orës 21:40, një person kishte raportuar në Stacionin Policor në Pejë se më 31 gusht 2022 kishte paguar dy bileta udhëtimi në vlerë prej 1 mijë e 38 euro në një agjenci turistike në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në njoftim thuhet se vktima kur kishte shkuar në Aeroportin e Prishtinës, kishte kuptuar se udhëtimi nuk mund të realizohej, pasi që nuk i ishte bërë rezervimi nga agjencia ku kishte bërë pagesën e biletave të udhëtimit.
Tutje thuhet se policia e Stacionit Policor në Pejë, ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, i cili me urdhër prokurorit është dërguar në mbajtje prej 48 orë.
“Më datë 14. 09. 2022 në Stacionin Policor Pejë, kanë raportuar edhe shtatë (7) viktima tjera të cilat kishin rezervuar bileta udhëtimi për pushime jashtë vendit në shumë prej nëntëmijë e tetëqind e tridhjetë e gjashtë (9836) euro. Në agjenci, viktimat kishin paguar për bileta udhëtimi shumën prej 1.0874 euro”, thuhet tutje.
Bëhet e ditur se rasti është në proces nga njësiti i hetimeve Stacioni Policor Pejë.


