Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, pas takimit që pati me kryetarin e Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ku tha se ky i fundit i kërkoi ta ndihmonte si vëlla, për çka Kurti tha se ndihmën si vëlla ia jep privatisht e jo në cilësinë e kryeministrit.
Çitaku, përmes një postimi në Facebook, tha se nuk është fyerje të adresuarit me motër e vëlla, duke shtuar se asnjë mësimdhënës nuk i ka fëmijët në shkolla private e Norvegji.
“Me të thanë motër, vëlla, nuk është fyerje. Përkundrazi. E me e pranu si fyerje flet vetëm për ty, Albin. Mungesa e empatisë është simptomatike. Ndërkohë, tendenca me i nda mësueset në një tabor, e prindërit në një tjetër është fyese. Kryeministër, të garantoj që asnjë prej mësuesve nuk i ka fëmijët as në shkolla private, e as në Norvegji”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ajo i kërkoi Kurtit të bëjë zgjidhje, pasi sipas saj, kjo varet nga ai.
“Ulu, bisedo, gjejë zgjidhje. Çelësat e dyerve të shkollave i keni në dorë ju, kryeministër”.