Gjykata Themelore në Pejë, e ka gjetur fajtor të akuzuarin Bujar Bajraktari për vrasjen e rëndë të tani të ndjerit C.M, në vitin 1999 në Rudicë të Klinës dhe e dënoi atë me 7 vite burgim.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Bajraktari, u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, ku ndaj të akuzuarit Bujar Bajraktari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bajraktari për dashje eventuale të vrasjes, dënohet me 7 vite burgim, në të cilin do t’i llogariet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, sipas aktgjykimit, i akuzuari detyrohet edhe për pagesat tjera procedurale., kurse të dëmtuarit, janë udhëzuar për contest civil.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë Bujar Bajraktarin në gusht të vitit 1999, në fshatin Rudicë të Komunës së Klinës, me dashje e ka privuar nga jeta të ndjerin C.M nga fshati Kijevë, Komuna e Klinës.
Sipas hetimeve të cilat kanë rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj të pandehurit, theksohet se në ditën kritike, i pandehuri kishte pasur një mosmarrëveshje me viktimën, në oborrin e tani të ndjerit.
Sipas Prokurorisë, pas fjalosjes mes tyre, i pandehuri e kishte goditur viktimën me shuplakë, e pastaj nga një qerre kali kishte nxjerrë një shufër druri dhe me të e kishte goditur viktimën në anën e pasme të kokës, me ç’rast i ka shkaktuar plagosje të rëndë trupore me gjakderdhje të brendshme dhe si pasojë e plagëve, viktima ka vdekur më 30 gusht 1999, në Spitalin Regjional në Pejë.


