Lajme

5 vite e 1 muaj burgim dhe 16 mijë e 100 euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve për kontrabandë me mallra

09/12/2022 12:43
nga:N M

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, 11 të akuzuarit për kontrabandim me mallra janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me 5 vite e 1 muaj burgim dhe 16 mijë e 100 euro gjobë.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi.

Në këtë rast, për kontrabandim me mallra po akuzoheshin Izet Jashari, Arben dhe Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret dhe Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik dhe Jeton Morina dhe Sabri Isufi, ndërsa Nysret Jashari dhe Faton Isufi po akuzoheshin edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Izet Jashari u dënua me burgim në kohëzgjatje 13 muaj, Jeton Morina dhe Nysret Jashari me nga 11 muaj burgim, Nezir Bilalli me 10 muaj burgim, ndërsa Sabri Isufi dhe Arben Isufi me nga 8 muaj burgim.

Tutje, sipas aktgjykimit të lartcekur, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Xhevdet Jashari janë dënuar me burgim në kohëzgjatje 6 muaj (secili veç e veç), por me pëlqimin e të njëjtëve ky dënim iu është zëvendësuar me dënim me gjobë, ashtu që të akuzuarit Uka dhe Jashari janë të obliguar të paguajnë shumën prej 3 mijë euro (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Morina 2 mijë e 500 euro.

Ndërkaq, Milazim Januzi dhe Faton Isufi janë dënuar me nga 3 mijë e 400 euro gjobë.

Kurse, për veprën penale për armëmbajtje pa leje, Faton Isufi dhe Nysret Jashari u dënuan më gjobë prej 400 euro (secili veç e veç).

Të akuzuarve, koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak do t’iu llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Po ashtu, të njëjtit janë të obliguar t’i paguajnë shpenzimet procedurale (secili veç e veç) dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën nga 50 euro.

Ndërkaq, në seancën paraprake 10 të akuzuarit kanë dorëzuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, përveç të akuzuarit Jashari, i cili e kishte pranuar fajësinë në seancë, sepse i njëjti nuk kishte qenë i përfshirë në atë marrëveshje.

Ndryshe, para veçimit të procedurës në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Bozhidar Milosajeviq, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Krsto Subotiq, Reshat Kuci, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq, të cilët po akuzohen se në cilësinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje të ryshfetit”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me, 18 maj 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Biljana Nedekjkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit dhe të akuzuarit Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndërrimit “A”, të SPMK në Zubin Potok, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me të akuzuarin Dejan Vukashinoviq i cili ndodhet në arrati, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si: kafshë, derivate, pije alkoolike, joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kishin qenë në detyrë zyrtare duke mbikëqyrur rrugët kufitare.

Sipas PSRK-së, të njëjtit iu kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavljeviq, Miljojko Radisavljeviq, Zoran Vukomanoviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, duke iu shmangur kontrollit doganor me rastin e importimit të mallrave, me ç’rast i kishin shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së këta 5 të akuzuar kishin marrë-pranuar shuma të ndryshme të parave, për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare dhe atë për çdo automjet nga 20 deri në 100 euro, apo 150 euro, e që një pjesë të këtyre parave e kishin marrë për vete, ndërsa pjesën tjetër ua kishin ndarë policëve të ndërrimit.

Për të njëjtat veprime po akuzohen edhe Oliver Kuzmanoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Bozhidar Milosavljeviq dhe Ali Pllana, në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “B”, të SRMK, në Zubin Potok dhe të akuzuarit Zoran Radunoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit si dhe të akuzuarit Krsto Subotiq, Reshat Kuqi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomaviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci dhe Blagoje Lazoviq në cilësinë e policëve patrullues në kuandër të nderrimit “C”.

Për këto veprime, PSRK, në vazhdim dhe bashkëkryerje thuhet se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.

Për të njëjtat veprime dhe me të njëjtat vepra penale ngarkohet edhe udhëheqësi i ndërrimit “D”, Nebojsha Gogiq.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq të cilët gjenden në arrati, kishin kontrabanduar kafshë nga Serbia për në Kosovës, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kishin udhëtuar në Serbi ku atje kishin blerë kafshë dhe më pas të njëjtat përmes marrëveshjes i kishin dorëzuar tek të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Radojkoviq të cilat kafshë i kishin kontrabanduar përtej kufirit në mënyrë ilegale dukë bashkëpunuar me zyrtarët policor në SPMK-Zubin Potok, për të cilat shërbime ishin paguar në shumën prej 50 deri në 60 euro për një kafshë.

Më pas, siç thuhet në aktakuzë, të pandehurit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, i kishin marrë kafshët nga fermat e të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq dhe Boba Radojkoviq dhe i kishin dorëzuar tek pronarët e tyre në fshatrat Pasomë dhe Akrashticë të Komunës së Vushtrrisë dhe fshatin Sankovc, në Drenas, ku për bartjen e këtyre kafshëve kishin marrë 30-35 euro për një kafshë.

Sipas PSRK-së, vetëm për dy rastet e proceduara vlera e shmangies për mallrat e kontrabanduara është mbi 5 mijë euro, ku të njëjtit pas hetimit nga ana e policisë ishin arrestuar.

Për këto veprime, Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, ngarkoheshin me veprën penale “kontrabandë me mallra”, nga nenin 317, par.1 lidhur me nenet 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, të akuzuarit Nysret Jashari dhe Faton Isufi po akuzoheshin edhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, pasi gjatë urdhër kontrollit nga ana e policisë, tek i akuzuari Jashari ishin gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri AK-47, një pushkë M-48, 12 fishekë të pushkës automatike, 30 fishekë të pushkës M-48, një pjesë vazhduese e pushkës automatike.

Ndërsa, tek i akuzuari Isufi policia kishin gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie “Zastava”, dhe dy fishekë të kalibrit 12 mm, të cilat armë dy të akuzuarit i kishin poseduar pa autorizim. /BetimipërDrejtësi

Mungon ish-kryetari i Leposaviqit, dështon për të tretën herë gjykimi për korrupsion e krim të organizuar ndaj tij dhe tjerëve