Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve A. M. dhe L. M, të dyshuar për dhunimin e të miturës 16-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë.
“Ekziston dyshimi bazuar se të pandehurit A. M. dhe L. M. gjatë muajit mars – prill në fshatin Pasjak dhe fshatin Velekincë, e kanë detyruar të miturën të kryej akte seksuale pa pëlqimin e saj, viktimë kjo posaçërisht e ndjeshme për shkak të moshës nën 16 vjeç, e cila nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie të tillë e që nënkupton marrëdhënie seksuale”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi”, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet tutje.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit.


