Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, duke thënë se ndihma e Familjes Mbretërore dhe popullit britanik iu gjet Kosovës në ditët më të vështira.
“Familjes Mbretërore dhe popullit mik e aleat britanik, ndihma e pakursyer e të cilëve na gjendet e na u gjet edhe në ditët tona më të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta në këtë ditë zie të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Rama tha se Mbretëresha e ndjerë ka qenë simbol i udhëheqjes së denjë e të lavdishme.
“Lartmadhëria e saj, Mbretëresha Elizabeth II, përgjatë shtatë dekadave ka qenë simbol i udhëheqjes së denjë e të lavdishme të Mbretërisë së Bashkuar, duke u bërë shtyllë e fortë e transformimeve në shërbim të popullit të saj”.
“U prehtë në paqe shpirti i saj!”, përfundoi Rama.


