Lajme

Hamiti: Me mbretëreshën kemi biseduar për Kosovën dhe ish-presidentin Rugova

09/08/2022 22:41
nga:Genita C

Anëtar i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, duke thënë se Mbretëresha ishte prijëse e urtë e vendit të vet në kohë të transformimeve të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar dhe të gjithë botës.

“Personalitet i shquar i botës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në këto dekada të shekullit të ri”, ka shkruar Hamiti në një postim në Facebook.

Hamiti, i cili ishte Këshilltar i ish-presidentit Ibrahim Rugova, tregoi për kohën kur me Mbretëreshën kishte bisedar për historinë e paraluftës deri në Pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, kur u prit në Pallatin Buckingham, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale si ambasador.

“Biseda ka qenë më e gjatë, nja 15-20 minuta ndoshta, e tëra e zhvilluar në këmbë, simbas protokolit. Më kujtohet se Mbretëresha e ka çuar muhabetin edhe te historia e paraluftës dhe e pavarësimit të Kosovës dhe rolit të Presidentit Ibrahim Rugova, themeltarit të shtetit tonë. Poashtu në bisedë me zonjën time, për punën e saj dhe për fëmijët tanë”.

“Ndonëse isha takuar me Mbretëreshën edhe më herët, pritjen zyrtare në pallatin mbretëror Buckingham Palace e kam pasur më 8 dhjetor 2009, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale si ambasador. Kam pasur një audiencë vetëm për vetëm me Naltmadhninë e Saj, siç është zakoni, pastaj në vazhdim edhe me një pjesëtar të stafit tonë diplomatik që më shoqëronte (asokohe e kishim vetëm një!), ndërsa në përmbyllje takim ku më shoqëronte zonja ime, Vjosa Hamiti. Fotografi ka vetëm nga takimi i Ambasadorit me Mbretëreshën”.

Hamiti, bashkë me mbishkrimin bashkëngjiti dy fotografi, njëra me pamje nga dita kur i ka dorëzuar letrat kredenciale tek Mbretëresha në vitin 2009 dhe tjetra, dhuratë nga Mbretëresha dhe Princit Filip, për Hamitin në fund të mandatit të tij si Ambasador në Londër.