Lajme

Pas KPK-së dhe KGJK-së, Kurti konfrontohet edhe me Gjykatën Themelore në Prishtinë

09/08/2022 17:04
nga:Genita C

Disa ditë pasi e pati një përballje virtuale me Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor lidhur me rastin e 11-vjeçares së dhunuar, kryeminsitri Albin Kurti tani është duke u marrë me Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Fjala është për një pronë publike në Prishtinë, ndërsa Kurti i ka reaguar Gjykatës duke folur për “heshtjen” e saj ndaj kërkesës së asamblistëve të LVV-së për masë të sigurisë.

Kurti theksoi se një kërkesë e tillë nuk ka marrë përgjigje as pas një muaji, ndërsa u shpreh se ankesa e PDK-së për tarifat e energjisë elektrike kishte marrë përgjigje për 3 ditë.

“Masa e sigurisë, analoge me atë të masës së përkohshme, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë. Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Madje, shefi i qeverisë pyeti se kush vendos për shpejtësinë e reagimit të Gjyqtarëve.

“Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike. Ndërsa kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Gjykata e trajton pas 48 orësh. Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve?”, shkroi ai.

“Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve? Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit?”, pyeti Kurti.