Sporti

Gani Sejdiu: Ballkani nuk duhet ta ‘parkojë autobusin’, më pëlqeu deklarata e trajnerit Daja

09/08/2022 13:06
nga:Mergim Rreci

Trajneri kosovar, Gani Sejdiu është deklaruar pak para ndeshjes mes Ballkanit dhe Cluj në Conference League.

Sejdiu tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se tashmë kemi të bëjmë me një tjetër nivel të kundërshtarëve, por që duhet shfrytëzuar fakti që skuadra kosovare nuk e ka më presionin e rezultatit.

“Tani na duhet të përballemi me një tjetër nivel kundërshtari, ku Ballkani do ta ketë të vështirë të tregojë vlerat e tij, por klubi ka bërë histori dhe ky duhet të jetë elementi që duhet përdorur, që e shkarkon atë nga pjesa e presionit. Mendoj se skuadra kosovare do të jetë më e relaksuar se kundërshtari për sa i përket epilogut të ndeshjes“, tha fillimisht Sejdiu.

Më pas, ai tha se Ballkani nuk duhet të jetë defanziv në këtë takim, por që të luajë lojën me të cilën ka arritur suksesin deri këtu.

“Më pëlqeu deklarata e Dajes se Ballkani nuk do të parkojë autobusin para golit dhe kjo është shumë e rëndësishme që të mos dalë nga loja që e ka sjellë deri këtu, sepse vetëm kështu futbollistët e Ballkanit janë të rrezikshëm dhe mund t’i tregojnë vlerat e tyre, por normal me një kujdes të shtuar, duke marrë parasysh cilësinë e kundërshtarit. Jam i bindur se Ballkani do të na përfaqësojë në këtë nivel denjësisht, pavarësisht rezultatit. I uroj përzemërsisht shumë suksese”, përfundoi Sejdiu.

/GazetaBlic Sport/