Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se duket se kemi harruar që fëmijët duhet të shkojnë në shkollë dhe të gjithë po qajnë më lot krokodili e po e akuzojnë sindikatën e Rrahman Jasharajn, por nuk po e bëjnë përgjegjëse qeverinë, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kurtit nuk po i bëjnë thirrje pasi ai si kryeministër e ka detyrim që të ulet dhe të bisedojë me grevistët.
“Në vend se t`i ftojnë dhe të ulen me ta për dialog për rrugëdalje nga situata, ata po përpiqen që duke fragmentarizuar grevën ta kthejnë normalitetin”, ka shkruar Kryeziu ndër të tjera.
Postimi i tij i plotë:
Sikundër për çdo fenomen që ndodhë tek ne, vëmendja zgjat vetëm tre ditë dhe më pas harrohet. Ne si shoqëri jemi harrestarë të shpejtë. Bile po duket se kemi nisë të harrojmë që fëmijët duhet të shkojnë në shkollë!
Analistët, studiuesit dhe partizanët e partisë në pushtet, po krahasojnë e argumentojnë dhe po qajnë me lot krokodili për humbjet që po pësojnë fëmijët, si shkak i grevave. Po i akuzojnë mësimdhënësit, sindikatën, Rrahman Jasharin. Por, asnjëherë se bëjnë përgjegjëse qeverinë! Asnjëherë si bëjnë thirrje kryeministrit, se nuk është nënshtrim, por detyrim për një kryeministër që të ulet të diskutojë me grevistët, në çdo situatë e ngjashëm edhe kur ka grevë në arsim dhe paralizohet procesi mësimor.
Ndoshta mësimdhënësit e sindikata edhe mund të kenë faj për këtë situatë?! Por, është qeveria ajo që mban përgjegjësinë, jo vetëm politike por dhe kushtetuese për të garantuar zhvillimin e procesit mësimor. Arroganca dhe sjella e inferioritetit ndaj asaj që po ndodhë vetëm sa po thellon paralizimin e procesit mësimor dhe po i dëmton fëmijët. Madje, përpjekja e saj për ta ushtruar autoritetin së paku në Komunat ku e ka pushtetin, është shumë jo demokratike. Besoj, duhet shumë energji e aspak nuk është e shëndetshme për demokracinë, e më së paku për arsimin, që të angazhohemi me disa individë e disa shkolla, për ta thyer e përçarë grevën dhe grevistët. Në vend se t`i ftojnë dhe të ulen me ta për dialog për rrugëdalje nga situata, ata po përpiqen që duke fragmentarizuar grevën ta kthejnë normalitetin.
Slogani #Nuk shantazhohemi, sot nuk ka kurrfarë vlere.


