Lajme

A pritet të sjellë largimi i Doarsa Kicës ‘tronditje’ në qeverisjen e VV-së- Flasin analistët!

09/07/2022 17:47
nga:Y I

Sot u raportua në media se deputetja e “Listës Guxo” Doarsa Kica, pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Largimi i deputetes Kica, vjen pas deklaratës së bujshme bërë dy muaj më parë nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ku paralajmëronte largimin e 8 deputetëve nga VV-ja për në LDK.

“Në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2″, ka deklaruar Gashi, duke thënë se koha e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një qeverisje komode ka skaduar, raporton Gazeta Blic.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, duke folur rreth këtij largimi dhe deklaratës së Gashit, nuk presin që të ketë ‘tronditje’ në qeverisjen e VV-së.

Ata theksuan se kjo gjë nuk pritet të ndodhë për shkak të numrave të lartë që ka ky subjekt politik në Kuvend.

“Eshtë e vështirë, sepse për ta rrëzuar Qeverinë duhet opozita t’i ketë 61 vota. Edhe me daljen e ketyre deputetëve është e vështirë të rrëzohet Qeveria pa votat e partive minoritare. Jo vetëm të Listës Serbe por edhe të deputetëve të tjerë nga Grupi 6 Plus. Kështu që edhe nëse mund të largohen deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar unë nuk mendoj se rrezikohet Qeveria Kurti, përveq  nëse ky grup që del është i madh dhe humbet shumicën në Kuvend. Aktualisht Qeveria i ka të paktën 67 vota, përveq nëse dalin 10 deputetë njëherësh. Por edhe nëse ndodh kjo nuk besoj se të njëjtit votojnë apriori rrëzimin e Qeverisë” tha  njohësja e zhvillime politike Shqipe Pantina për “Gazeta Blic”

Pantina ka komentuar edhe largimin e Kicës nga GP i LVV-së.

Ajo thekson se ky largim mund të ketë ardhur pas një arsyeje shumë të fortë që lidhet me mënyrën e qeverisjes.

“Nuk i di arsyet e largimit të zonjës Kica, por shpresoj që në ditët në vijim ajo do t’i shpjegojë vetë arsyet. Megjithatë fakti që ajo e po e lë Grupin më të madh parlamentar që njëkohësisht udhëheq me vendin dhe po shkon në një parti e cila në zgjedhjet e fundit pësoi një rënie të madhe, tregon vetëm një gjë se ajo nuk po e bën këtë ndryshim për përfitime personale sepse më shumë humb sesa fiton nga dalja GP i LVV-së.Kështu që e njëjta duhet të ketë një arsye të fortë, arsyeje që lidhet me mënyrën e qeverisjes ose me mënyrën e funksionimit të Grupit Parlamentar.” deklaroi Pantina.

Edhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, shprehet i bindur se Qeveria Kurti do të vazhdojë, edhe nëse largohen 8 deputetë.

Spahiu thekson se mund të ketë një rrëzim të Qeverisë vetëm nëse largohen një numër relativisht më i lartë.

“Nuk besoj se do të rrezikohet Qeveria Kurti. Ata kanë numër mjaft të madh deputetësh që edhe nëse 8 deputetë largohen nuk do të thotë se rrëzohet Qeveria, vetëm nëse është fjala për një numër më të madh deputetësh.”

Spahiu potencoi se largimi i Kicës mund të ketë ndodhur për arsye parimore.

“Nuk i di arsyet e largimit të deputetes Kica, mendoj që është normale që një deputet të kalojë nga një parti në tjetrën. Mund të jetë ndoshta për shkaqe parimore” deklaroi Spahiu për “Gazeta Blic”

Analisti politik, Gazmir Raci, duke komentuar largimin e Kicës thotë se ky largim mund të ketë ndodhur për arsye personale.

“Sado që këto lëvizje janë interesante, më duket se më shumë bëhen për interesa të ngushta personale, edhe në të kaluerën ka ndodh kështu”

Raci komentoi edhe deklaratën e bërë nga Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi bërë dy muaj më parë për mundësinë e largimit të 8 deputetëve dhe rënien e Qeverisë Kurti.

“Opozita e sotme me votën e popullit s’ka mundur ta sfidojë Kurtin, tani mundohet me vota të kontrbanduara për të cilën në të kaluarën një deputete kaloi në LVV e akuzuan kryeministrin se po kontrabandon votë. ndërsa tani po rikthehet çështja tek opozita që permes kontrabandimit të votave me rrëzu Qeverinë” deklaroi Raci për “Gazeta Blic”

Qeveria “Kurti 2″e ka nisur sesisonin e ri parlamentar me një situatë të tensionuar, për shkak të grevave në vend.

Punëtorët e sektorit publik tash e një javë janë radikalizuar me veprime sindikale, duke kërkuar rritjen e rrogave.

Hyrjen në grevë e kanë paralajmëruar edhe Sindikata të tjera nëse Qeveria nuk ndërmerr masa për realizimin e kërkesave të tyre.

/Gazeta Blic/

Pas Doarsa Kicës, kush mund të jenë 7 deputetët tjerë që kishte paralajmëruar Arben Gashi se do të largohen nga Vetëvendosje?!

Sektori privat i pakënaqur me pakon e Qeverisë – Azemi: S’do të hyjnë në grevë, s’gjuajmë benzinë në zjarr

“Greva do të vazhdojë”, kryetari i BSPK-së thirrje Qeverisë për reflektim: Ta hapë derën e dialogut, të gjendet zgjidhja