Greva në arsim dhe në administratë po vazhdon në Kosovë.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, thotë se greva po mbahet në gjithë vendin, në shkolla dhe në administratë, pa i penguar shërbimet e rëndësisë jetike.
Në një prononcim për Gazeta Blic, ai ka folur për takimin me presidenten Osmani.
“Takim konsultativ për të gjetur rrugën e duhur drejt hapjes së dialogut social. Edhe Presidentja e përkrah dialogun e mirëfilltë social i cili do të gjejë zgjidhjen e duhur për ndërprerjen e Grevës së Përgjithshme”, thotë ai.
Hykolli për Gazeta Blic thekson se greva do të vazhdojë derisa të realizohen kërkesat e tyre, ose derisa të niset dialogu i mirëfilltë në mes të partnerëve sociale, Qeverisë dhe BSPK-së.
“Greva është shpallur se ka mbetur mjeti i fundit i presionit sindikal drejt realizimit të kërkesave të drejta e të arsyeshme dhe të ligjshme të cilat i janë paraqitur Partnerit tonë Social – Qeverisë, dhe ajo do të vazhdojë, ajo duhet të vazhdojë deri sa të realizohen kërkesat ose deri sa të niset dialogu i mirëfilltë social ndërmjet partnerëve socialë, Qeverisë dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës”, potencon ai.
Hykolli thotë se presin dhe besojnë se do të gjendet zgjidhja, derisa shton se presin reflektim nga Qeveria që ta hapë derën e dialogut dhe të ofrojë karrigen e dialogut, ku do të gjendet zgjidhja e kërkesave të grevistëve.
“Greva është nisur për tu gjetur zgjidhja, dhe besojmë fort se zgjidhja do të gjendet, veprojmë që ajo të gjendet, dhe presim në reflektimin e duhur të Partnerit tonë Social – Qeverisë që të hapë derën e dialogut dhe të ofrojë karrigen e dialogut në tavolinën e dialogut ku do të gjendet zgjidhja e kërkesave të paraqitura sindikale pa e ulur imazhin e Partnerit tonë Social – Qeverisë po edhe pa e minimizuar rolin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës”, deklaron Atdhe Hykolli.
Gazeta Blic prej dy ditësh ka provuar të marrë një qëndrim nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, por që nuk e ka hapur telefonin.
I pa qasshëm ka qenë edhe zëvendësi i Nagavcit, Dukagjin Pupovci.
E përgjigje nuk ka kthyer as zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu./Gazeta Blic./