Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, me propozimin e përfaqësuesit të paditësit L.L, avokatit Mustafë Nuhiu, ka caktuar ekspertizë nga lëmia e ortopedisë – traumatologjisë, ekspertizë nga lëmia e neurologjisë, nga lëmia maksilofaciale dhe nga lëmia e psikiatrisë, në rastin ku L.L po kërkon kompensimin e dëmit nga Kompania e Sigurimeve “Prisig”.
Në seancën e së martës, avokati Nuhiu tha se ekspertët (secili në fushën e tij) do të bëjnë vlerësimin e natyrës dhe shkallës së lëndimeve nëpër regjione të ndryshme të trupit, duke mos përjashtuar edhe frikën eventuale të pësuar në aksidentin e 2020-ës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tutje shtoi se pas deklarimeve të ekspertëve do të bëjë edhe precizimin e kërkesëpadisë.
Në anën tjetër, i autorizuari i palës së paditur, Nderim Musa tha se nuk e kontestojnë bazën juridike të kërkesëpadisë sikurse që nuk e kundërshtojnë edhe propozimin nga ana e paditësit për nxjerrjen e ekspertizave, nga ekspertët e propozuar.
Pas kësaj, gjykatësi Raif Fazliu e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit për nxjerrjen e provave me ekspertizat e propozuara, ku ekzaminimi i paditësit nga ekspertët përkatës do të bëhet në hapësirat e QKUK-së.
Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet pas marrjes së provave me këto ekspertiza.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 26 maj 2021, më 5 qershor 2020, në rrugën Kllokot-Viti, tek rruga e fshatit Mogillë, ka ndodhur aksident trafiku, i shkaktuar nga ana e të siguruarit të Kompanisë së Sigurimeve “Prisig”, drejtuesit të automjetit “VW” tipi “Caddy”.
Në padi thuhet se drejtuesi i “VW Caddy” derisa ishte duke lëvizur, pa u bindur me parë se nuk i rrezikon pjesëmarrësit e tjerë në trafik , bën kthim të pasigurt majtas dhe kur kalon në shiritin e majtë të rrugës, ndeshet me njësinë / drejtuesin e njësisë “B” (motoçiklistin), i cili ishte duke lëvizur nga ana e kundërt, pra në drejtimin Kllokot-Viti.
Tutje, në padi thuhet se si rezultat i aksidentit, paditësi L.L, si vozitës i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore, dhimbje të intensitetit të lartë dhe të mesëm, frikë të intensitetit të lartë, të mesëm dhe të ulët.
Mbi këtë bazë, paditësi po kërkon nga gjykata që të detyrohet e paditura “Prisig” që paditësit t’ia kompensojë në emër të dëmit material dhe jomaterial dëmin në shumat të cilat do të precizohen pas nxjerrjes së ekspertizave.


