Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se në rast se miratohet Ligji për zyrtarët publikë, do të shkatërrojë sistemin gjyqësor.
Këtë deklarim, kryesuesi Zogaj e bëri në konferencë për medie, të hënën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Çështja e fundit që unë du me theksu është Ligji për pagat dhe Ligji për zyrtarët publikë. Që e tregon besoj në mënyrën më të mirë të mundshme tendencën e Qeverisë ndaj këtij sistemi gjyqësor. Do të kemi komentet nesër ose pasnesër, sepse është koha e fundit kur mund t’i dorëzojmë komentet. Megjithatë po e theksoj, merrne draft-ligjin për pagat dhe projektligjin për zyrtarë publik, do e shihni në çfarë mase do të ndërhyhet në sistemin gjyqësor, ndërkohë që kemi të gjitha garancionet edhe Kushtetuese edhe të Këshillit të gjyqtarëve evropian, që nuk mund të cenohet në asnjë mënyrë pavarësia e sistemit gjyqësor”, tha Zogaj.
Ai theksoi se njëkohësisht e kemi projektligjin për zyrtarët publik, ku sipas tij nënkupton se është në tërësi në kundërshtim me kushtetuesen.
“Nuk kemi pasur reagim publik sepse data kur do të dorëzohen komentet është nesër”, shtoi Zogaj.
Sipas kryesuesit të KGJK-së, nëse ky dokument miratohet, do e shkatërrojë sistemin gjyqësor ngase, sipas tij, nuk do të ketë kuadër, do të ikin kuadrot dhe do të rritet niveli i korrupsionit.
“Po e theksojmë që është një dokument që nëse miratohet në Kuvend, do e shkatërrojë sistemin gjyqësor”, tha Zogaj.


