Lajme

Zogaj: 60% e rasteve të dhunimit nga viti 2017 e deri më sot, janë me aktgjykim dënues

09/05/2022 12:28
nga:G B

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në konferencë për medie tha se nga 786 rastet e pranuara nga viti 2017 e deri më sot, që hyjnë në kapitullin e veprave penale të cenimit të integritetit seksual, diku 140 prej tyre janë të papërfunduara, prej tyre 60% janë me aktgjykim dënues,

Zogaj theksoi se nga viti 2017 e deri më sot, në sistemin gjyqësor janë pranuar 786 raste, për të gjithë kapitullin e veprave penale për cenimin e integritetit seksual dhe se në shumicën e këtyre veprave parashihet dënimi me kusht, raporton “Betim për Drejtësi“.

“Në shumicën e këtyre veprave penale, parashihet edhe dënimi me kusht, unë nuk e justifikoj vendimmarrje sepse nuk jam as personi kompetent për këtë çështje. Vetë fakti që kemi disa udhëzues, tregon që duhet të përmirësohet politika ndëshkimore, por nuk mundemi me thanë që çdo vendim i gjykatës është i papranueshëm ose i kundërligjshëm”, tha Zogaj.

Tutje, kryesuesi i KGJK-së kritikoi ministren Haxhiu për deklaratat rreth vendimeve të gjykatave.

“Ne e pamë dje ministren e Drejtësisë duke i bërë krejt kualifikimet në një vendim për një të pandehur që ka qenë në një procedurë gjyqësore. Është krejtësisht e papranueshme, kemi dakordim që politika ndëshkimore nuk është adekuate, duhet të përmirësohet por nuk duhet të kemi cilësime mbi vendimet”, u shpreh ai.

Sipas tij, nga 786 rastet, diku 140 prej tyre janë të papërfunduara, prej tyre 60% janë me aktgjykim dënues, 15% janë me aktgjykim lirues, 10% janë me aktgjykim refuzues dhe 10% janë format tjera, ku përfshihet edhe parashkrimi.

Zogaj tha se vepra penale nga kapitulli i integritetit seksual parasheh një periudhë më të gjatë.