Qeveria e Kosovës, saktësisht ministria e Financave pak më herët njoftoi se ka bërë ekzekutimin e pagave, përfshirë këtu për arsimtarë dhe administratën që tash e disa ditë janë në grevë , raporton Gazeta Blic.
Por krejt në fund të njoftimit nga ana e MF thuhet se, ato organizata buxhetore që nuk kanë dërguar listat e pagave për punonjësit që janë në grevë, do të auditiohen e ky auditim do të jetë i veçantë.
“Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për Greva. Për këtë, Ministria do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje, ku përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Financave që drejtohet nga Hekuran Murati. .
E, këtë qëndrim të kësaj ministrie, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi po e sheh si kërcënim direkt për zyrtarët kryesore financiar të komunave.
Sipas tij, kjo mënyrë e të ‘menduarit’ e ‘vepruarit’ nuk çon askund, por që rrugë – dalja në këtë situatë është dialogu Grevistë – Qeveri.
“Mendoj që komunat e në veçanti Zyrtarët Kryesor Financier të cilët janë zyrtar komunal, mund ta konsiderojnë si kërcënim këtë pjesë të postimit të MFT: Ministria do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje, ku përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës’, ka thënë Ibrahimi i kontaktuar nga gazeta Blic.
Sipas tij, zyrtarët kryesor financiar të komunave nuk janë nën ‘ombrellen’ e ministrisë së financave.
“Pra, problemet duhet të zgjidhen me dialog e jo me postime nëpër Facebook. Duhet theksuar që ZKF janë zyrtar komunal e jo zyrtar të MFT’, vlerëson ai.
Njoftimi i plotë nga Minitrai e Financave dhe Trasfereve:
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin publik se sot ka ekzekutuar pagat edhe për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore. Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar, gjë për të cilën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve shpreh keqardhje të thellë.
Bazuar në Ligjin për Greva, kontrata e punonjësve që janë në grevë duhet të pezullohen, përfshirë edhe të drejtën e pagesës për aq kohë sa punonjësi qëndron në grevë. Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit.
Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për Greva. Për këtë, Ministria do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje, ku përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës.


