Lajme

Prokuroria: Për shkak të mungesës së psikologut, 11-vjeçarja nuk u intervistua deri më 7 korrik

09/05/2022 10:24
nga:G B

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një konferencë për medie ka treguar kronologjinë e rastit të 11-vjeçares, ku u tha se për shkak të mungesës së psikologut, viktima nuk u intervistua deri më 7 korrik.

Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj, ka thënë se prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha hetimet e nevojshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më 21 qershor është shpallë person i zhdukur, prokurori i rastit ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime të ndryshme, derisa më datë 7 korrik të këtij viti, ka dëgjuar të dëmtuarën”, tha Ulaj.

Ajo shtoi se në mungesë të psikologëve, Prokuroria ka dërguar kërkesë për sigurimin e psikologut dhe deri në sigurimin e tij, Prokuroria nuk ka mundur ta intervistojë viktimën, më 7 korrik.

“Prokurorit, si pasojë e mungesës së psikologëve, për të cilët kemi reaguar e kërkuar që të angazhojnë një të tillë, i është dashur kohë deri kur e ka intervistuar. Pas marrjes së ekzaminimeve, kanë arritur të zbulohen identitetet e personave të dyshuar, që janë arrestuar. Prokuroria nuk ka pasur mundësi të japë detaje për rastin e qershorit, procesi ka qenë komplet në zhvillim dhe në rrjedhën e hetimeve”, shtoi ajo.

“Më 24 qershor Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për sekuestrim të përkohshëm të telefonit të së dëmtuarës, dhe kjo kërkesë është aprovuar nga gjykata. Më 27 qershor është bërë kërkesë për tërheqjen e kamerave të moteleve ku supozohet se ka mundur të shkoj viktima dhe me datën 7 korrik prokurori i rastit e ka dëgjuar të dëmtuarën në prezencë të psikologes dhe të punëtores sociale”, tha Ulaj.

Tutje theksoi se rasti i qershorit ka qenë pjesë e hetimit, ndërsa lidhur me të dy rastet janë duke u marrë dy prokurorë, për të cilët nuk dha detaje se kush janë.