Lajme

KPK dhe Prokurori i Shtetit i reagojnë Kurtit: Informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta!

09/04/2022 15:25
nga:Y I

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit i kanë reaguar kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas deklaratave të tyre në një konferencë për media të dielën.

Kurti tha se mbi 200 gjykatës janë marrë me rastet e dhunës seksuale dhe kanë shqiptuar vetëm dënime me gjobë dhe me kusht, ndërsa akuzoi edhe rreth 140 prokurorë të cilët tha se kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste.

KPK dhe Prokurori i Shtetit i kanë quajtur të pasakta dhe tendencioze deklaratat e kryeministrit.

Reagimi i plotë:

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit shprehin sërish shqetësimin e thellë lidhur me riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial, që po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.

Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër (4) raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale.

Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokurorial.

KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës.

/Gazeta Blic/

Kurti dhe Haxhiu kritikojnë gjyqësorin për rastet e dhunimeve: Do ta procedojmë në Kuvend Vettingun