Lajme

Deklarohen të pafajshëm policët e akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës dhe për lëndim të rëndë trupor

09/02/2022 12:51
nga:N M

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Skënder Nasufi dhe Nexhmedin Grajqevci, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën se gjatë ushtrimit të detyrës kanë tejkaluara autorizimet, duke keqtrajtuar të dëmtuarin B.K.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj, të akuzuarit Nasufi dhe Grajqevci u deklaruan të pafajshëm.

Në këto rrethana, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse.

Prokurorja Cacaj deklaroi se në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen dhe të njëjtit do të shpallen fajtorë duke u shqiptuar dënim sipas Kodit Penal.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nasufi, avokat Basri Morina, në fjalën e tij hyrëse tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë të mundshme apo relevante me të cilat dëshmohet fajësia e të mbrojturit të tij.

“I propozoj prokurores së nderuar të shtetit që në këtë rast ta tërheqë akuzën ndaj të mbrojturit tim me që nuk ka asnjë provë të mundshme dhe relevante në bazë të të cilës do të dëshmohet e kundërta kur për këtë vetë ka deklaruar i dëmtuari”, tha Morina.

Mbrojtësi i të akuzuarit Grajqevci, avokat Bekim Kafexholli tha se e mbështet në tërësi deklarimin e avokatit Morina, duke konsideruar se aktakuza si e tillë përmban shkelje, sipas tij dispozitivi i aktakuzës me arsyetimin janë shumë kontradiktor.

Më pas, Kafexholli propozoi që për seancën e radhës të ftohen në cilësi të dëshmitarëve inspektorët e IPK-së, Armend Preniqi, Exhevit Zuka dhe Ridvan Kajtazi, sipas tij të njëjtit janë dëshmitarë okular të rastit.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurorja Cacaj pasi që, sipas saj, nuk është e nevojshme të prezantojnë të njëjtit pas që janë raportet me shkrim, e më pas këtë propozim e refuzoi edhe gjykatësja e çështjes, Donikë Shala.

Ndryshe, paraprakisht në këtë seancë prokurorja Cacaj kishte propozuar që të konsiderohen si të lexuara procesverbalet e kaluara, propozim ky që nuk u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe më pas u aprovua nga gjykatësja Shala.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua të mbahet më 16 shtator 2022, ku do të ftohet eksperti mjeko-ligjor, Arsim Gërxhaliu të deklarohet lidhur me ekspertizën e tij të fundit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2015, të pandehurit Skënder Nasufi dhe Nexhmedin Grajqevci akuzohen se më 21 nëntor 2012, në lagjen “Dardania” në parkingun e restorantit “Villa Natyra” në Prishtinë, në bashkëkryerje, gjatë arrestimit të tani të dëmtuarit B.K, sipas planit operativ të zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Policia e Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës kanë tejkaluara autorizimet, duke keqtrajtuar të dëmtuarin. Sipas prokurorisë të pandehurit e kanë kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës”.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Nasufi dhe Grajqevci në kohën dhe vendin e lartcekur, gjatë arrestimit të tani dëmtuarit B.K sipas planit operativ të zhvilluar nga IPK-ja dhe Policia e Kosovës, të njëjtit i kanë shkaktuar lëndime të renda trupore dhe atë thyerje të gjurit të këmbës së majtë. Me këtë ngarkohen edhe me veprën penale “lëndim i rëndë trupor”. /BetimipërDrejtësi