Lajme

Nuk janë pjesë e grevës/ Zjarrfikësit e Prishtinës mbesin pa paga

09/01/2022 18:48
nga:G B

Jo vetëm grevistët.

Pa paga, kanë mbetur edhe zjarrfikësit e komunës së Prishtinës.

Ani pse, ky sektor nuk është i përfshirë në grevën e përgjithshme që po mbahet nga shërbyesit civil.

Këtë, për Front Online e ka konfirmuar Zëvendës Komandanti i brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi.

“Jo deri tash nuk janë dalë pagat, nuk e di që i ka dalë dikujt paga. Edhe pushimet nuk kanë pasë mundësi më shfrytëzua zjarrfikësit sepse jemi numër i vogël, ka të tillë që ende as nuk e kanë qelë pushimin vjetor për shkak të angazhimeve dhe volumit të punës që e kemi, e sidomos verës”, ka thënë Gashi.

Ai tregon, se zakonisht pagat i kanë marrë me datën 29 në fund të muajit dhe se sot është 1 shtatori dhe janë pa paga.

Thotë se edhe pse të njëjtat janë të vogla, prapë se prapë zjarrfikësit edhe pa to kanë mbetur keq.

“Ne pagat ashtu siç është e përcaktuar me ligj kemi pas me i marrë deri më datën 29 të fundit të muajit, neve pagat nuk na kanë dal. Pagat tona janë të vogla, por ashtu sa janë neve po na lojnë keq dhe kjo nuk është  mirë”, është shprehur ai.

Por, deklaron se derisa zjarrfikësit janë në listat e pagave të Komunës së Prishtinës dhe se asnjë punëtori të komunës nuk i ka dalë paga atëherë ky mund të jetë shkaku.

“Ne për shkak qe jemi në listat e pagave të Komunës së Prishtinës, dhe me sa kam informata asnjë punëtor i komunës së Prishtinës nuk iu kanë dalë pagat dhe po besoj për këtë”, ka pohuar Gashi.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama mbrëmë me anë të një postimi në profilin e tij në rrjetin social, Facebook ka reagoi lidhur me zhvillimet e fundit.

Sipas tij, kërkesa e Qeverisë drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, është e kundërligjshme.

Ai ka kërkuar nga sindikatat dhe ekzekutivi të gjejnë një kompromis sa më parë.

”Është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë. Pandemia dhe, pas saj, lufta në Ukrainë, bënë që të rriten të gjitha çmimet. Vetëm pagat mbetën të njëjtat. Kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme”, ka shkruar ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.