Lajme

Tre dëshmitarë identifikojnë të akuzuarin për terrorizëm në një fotografi me persona me uniformë dhe të armatosur

08/30/2022 16:02
nga:G B

Në seancën e rigjykimit ndaj të akuzuarit Nagip Lutfiu për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, janë dëgjuar Alejhim Maliqi, Kujtim Daqaj dhe Skender Qerimi, të cilët kanë identifikuar të akuzuarin Lutfiu në një fotografi të prezantuar nga prokurori special Afrim Shefkiu.

Me lejen e trupit gjykues, secilit dëshmitar veç e veç, prokurori Shefiku ua ka prezantuar një fotografi me katër persona me uniformë ushtarake dhe të armatosur, ku secili nga ta ka identifikuar të akuzuarin Lutfiu si personi i dytë nga ana e majtë e fotografisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari për kuptimin e shiritave në kokë të personave në fotografi, Dajqi është përgjigjur me “nuk e di”, ndërsa Maliqi ka thënë se “nuk është shirit i ISIS-it, por është shirit i “Gjabat Al-Nustra”, kurse Qerimi tha se “këta shirita i kanë përdor grupi “Ushtria e Lirë”, po ashtu edhe “Gjabat Al-Nustra” e ka përdor”.

Paraprakisht, gjykatësi Bajraktari ka bërë të ditur se dëgjimi i këtyre dëshmitarëve bëhet me rekomandimet e dhëna nga vendimi i Gjykatës së Apelit, me të cilin vendim lënda është kthyer në rivendosje dhe rigjykim.

Pasi që i akuzuari Luftiu me mbrojtësin e tij, avokatin Kadri Begolli kanë hequr dorë nga leximi i aktakuzës dhe e njëjta është konstatuar e lexuar, i akuzuari Lutfiu e pranoi se ishte në Siri, por e mohoi të ketë qenë pjesë e ndonjë organizate terroriste.

“E pranoj që kam qenë në Siri, por nuk e pranoj se kam marrë pjesë në luftëra dhe që kam qenë pjesëtar i ndonjë organizate terroriste”, tha i akuzuari.

Tutje, ai dhe mbrojtësi i tij kanë mbetur pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, ashtu sikurse prokurori special Shefkiu.

Fillimisht, është dëgjuar dëshmitari Alejhim Maliqi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Begolli, ka thënë se e njeh të akuzuarin Lutfiu dhe se me të janë takuar edhe në Kosovë, para se të shkonin në Siri.

Ndërsa, shtoi se për herë të parë në Siri e ka takuar në vitin 2015, në vendin e quajtur “Set-Faruk”.

“Për atë çka di sa i përket të akuzuarit Nagip Lutfiu, nuk ka marrë pjesë asnjëherë në luftime apo diçka tjetër, gjatë gjithë kohës sa e kam parë dhe sa e kam takuar”, ka thënë tutje dëshmitari Maliqi.

Sipas tij, në të gjitha takimet i akuzuari Lutfiu kishte pasur veshur rroba civile dhe asnjëherë nuk e kishte parë të armatosur.

Ai tha se me sa kishte kuptuar ai, Luftiu kishte shkuar në Siri sepse kishte dashur të jetojë në atë vend, aty ku gjykohet me librin e Zotit.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shefkiu, dëshmitari Maliqi tha se ishte i sigurt që Lutfiu nuk ka marrë pjesë në luftë të Sirisë dhe se në takimin e parë me të kishte qenë edhe djali i tij, Besmir Luftiu.

Maliqi, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Musa Konxheli, tha se ka pasur persona të cilët vetëm janë përkujdesur ndaj familjes dhe s’kanë qenë anëtarë të ndonjë organizate, si dhe tha se regjistrimi në organizata ka qenë me vetdëshirë dhe jo obligativ.

Po ashtu, duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit Bajraktari, Maliqi tha se i akuzuari me familjen e tij kishte qëndruar në qytetet “Set-Faruk”, “Manbiq”, “Raka” dhe “Nashara”.

Ai deklaroi se kushdo që është regjistruar pavarësisht a ka qenë luftëtar apo rojtar, është llogaritur si pjesëtar i organizatës, veçse rojtarët nuk kanë qenë të armatosur por kanë mundur të kenë uniformë.

Tutje, dëshminë e ka dhënë dëshmitari Kujtim Dajqi i cili duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Begolli tha se e njeh të akuzuarin Lutfiu, sidomos gjatë kohës që ka qenë në paraburgim në Kosovë, kurse tha se në Siri ishte takuar me të dy herë.

Sipas tij, herën e parë e kishte takuar në qytetin e “Derzurit” dhe herën e dytë tek një vullkanizer, takime këto sipas tij të rastësishme dhe tha se Lutfiu nuk kishte pasur as armë dhe as uniformë.

I treti i cili dha dëshminë e tij, është dëshmitari Skender Qerimi, i cili tha se e njeh të akuzuarin Lutfiu dhe me sa e mban mend, takimi i parë i tij me të kishte qenë në vitin 2014 në “Set-Faruk”.

Por, i njëjti shtoi se në vazhdim, herë pas here kishte pasur takime me të në “Raka” dhe “Nashara”, e që në asnjë rast nuk i kishte parë armë apo uniformë.

Qerimi tha se me sa ka njohuri ai, Nagip Lutfiu nuk ka qenë pjesëtar i grupit ISIS.

Ai tha se i akuzuari Luftiu kishte qëndruar me familjen e tij në “Set-Faruk”, por e kishte parë edhe në “Raka”, megjithatë nuk e di a kishte pasur vendbanim aty apo jo.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e gjykatësit Bajraktari, nëse ndonjë anëtar të familjes së të akuzuarit Lutfiu ka qenë i involvuar në organizatën ISIS, Qerimi tha “me sa e di unë, djalin e ka pasur”.

Ndryshe, të gjithë dëshmitarët ishin të propozuar nga mbrojta e të akuzuarit Lutfiu, avokati Kadri Begolli dhe se të njëjtit kanë deklaruar se janë të dënuar për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Prokurori Shefkiu ka pasur vërejtje në dëshminë e të tre dëshmitarëve, me arsyetimin se nuk kanë qenë të sinqertë në deklarimet e tyre, përveç pjesës së identifikimit të të akuzuarit në fotografi.

Po ashtu, në këtë seancë është bërë leximi i provave materiale, ku mbrojtja ka kontestuar autenticitetin e fotografisë së administruar si provë.

Seanca e radhës për këtë çështje penale është caktuar për 1 shtator 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 mars 2022 e kishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim të akuzuarin Nagip Lutfiu për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, por që më 30 maj 2022 Gjykata e Apelit këtë aktgjykim e ka anuluar dhe çështja është kthyer në rivendosje sipas ankesës së mbrojtësit Kadri Begolli.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 dhjetor 2021, i akuzuari Nagip Lutfiu, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “Gjabat Al-Nustra”, në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku ka arritur në Stamboll të Turqisë dhe më pastaj përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri.

Tutje, thuhet se pasi që ka përfunduar ushtrimet taktike dhe luftarake, i pajisur me armë të zjarrit të llojit AK-47, ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, e që më pastaj më 28 prill 2013, përmes Aeroportit të Stambollit është kthyer në Kosovë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari Lutfiu më 10 shtator 2014, me paramendim dhe me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës duke depërtuar në Serbi dhe pastaj ka arritur në Aeroportit e Shkupit në Republikën e Maqedonisë, ku ka arritur në Stamboll dhe është takuar me bashkëshorten e tij, dy vajzat, si dhe nusen e djalit, duke vazhduar rrugën me aeroplan në qytetin e Gazientep të Turqisë ku është pritur nga pjesëtarët e  ISIS-it.

Në aktin akuzues, thuhet se duke kaluar kufirin rrugëve ilegale depërton në Siri fillimisht në qytetin e Bablimon, më pastaj në qytetin e Gjerablus ku është shoqëruar nga i biri i tij dhe një person tjetër nga Gostivari, e që nga i njëjti ishte pajisur me pushkë automatike AK-47 dhe municion duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë që edhe më pas është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021 dhe është riatdhesuar në Kosovë.

Me këtë, Nagip Lutfiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Organizmi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”, në vazhdim nga neni 143, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 të kodit Penal.