Analisti Fidan Ukaj thotë se vizita e të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, është një mesazh se Kosovës dhe Serbisë i nevojitet një zgjidhje para datës 1 shtator.
Ukaj në një prononcim për GazetaBlic vlerëson se vizita e dy emisarëve si duket do të sjell rezultat, pasi që sipas tij, Serbia e din mirë që moszgjidhja e këtij problemi do të jetë një minus i madh për të.
“Vizita e Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak ka ardhur në kohën kur në Bruksel kanë dështuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe dy emisarët po mundohet të gjejnë një zgjidhje para datës 1 shtator, kohë kjo kur fillon reciprociteti me Serbinë. Ardhja në Kosovë e dy emisarëve për të gjetur zgjidhje si duket edhe do të sjell rezultat pasi Serbia e din mirë që moszgjidhja e këtij problemi do të jetë një minus i madh për të dhe se e gjithë përkrahja do të jetë për autoritetet e Kosovës”, deklaron ai.
Tutje, ai shprehet optimist se do të gjendet një zgjidhje për t’i evituar trazirat e mundshme më 1 shtator
“Unë besoj se do të gjendet një zgjidhje e cila do t’i evitonte trazirat e mundshme në atë pjesë të Kosovës”, thotë ai.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thanë se takimet që po realizojnë në Prishtinë, janë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës më 1 shtator.
Pas takimit me krerët institucionalë të Kosovës, Escobar tha se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe.
“Të dy palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim dhe dhunë më 1 shtator. Tani ne jemi këtu që të sigurohemi që ky vullnet i shprehur dhe i gjithë optimizmi të përkthehet në një propozim konkret”, tha Escobar për mediat, pas takimeve që zhvilloi në Presidencë dhe Kryeministri të Kosovës.
Ndërkaq, Lajçak tha se ka pasur takime të mira dhe të detajuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se këto takime po bëhen për të parandaluar që të përsëriten tensionet, sikurse më 31 korrik.
“Mesazhi më i rëndësishëm është se jemi këtu me Gabriel Escobarin pikë së pari për të treguar se uniteti midis BE-së dhe SHBA-së është i plotë dhe nuk mund të jetë më i mirë. Ne po punojmë së bashku sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti, komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar lidhur me atë që pamë në terren më 31 korrik. Dhe pritet nga ne së bashku, ne si negociatorë dhe nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe prandaj jemi këtu”, tha Lajçak.
Ndërkaq, përmes një postimi për media, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Prishtina asnjëherë nuk ka kontribuar në rritjen e tensioneve.
“Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie”, shkroi Osmani në Facebook pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun.
Më herët gjatë të mërkurës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se pret që 1 shtatori – dita kur duhet të nisë zbatimi i vendimeve për targat dhe dokumentet serbe – të jetë një ditë normale. I pyetur lidhur me barrikadat e mundshme që mund të ngriten atje, ai tha se kjo është çështje e organeve të rendit.
Escobar pas takimit me opozitarët: Na siguruan, nuk duan përshkallëzim të situatës më 1 shtator
Lajçak pas takimit me Kurtin: Jemi duke provuar ta gjejmë një zgjidhje


