Lajme

“Kam me të vra ty dhe babanë tënd”, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit se e kanosi kunatën

08/24/2022 14:50
nga:G B

Prokuroria ka kërkuar dënimin e R.R, i cili po akuzohet se në mars të 2019-ës, e ka kanosur me vrasje të dëmtuarën A.R (kunatën e tij), pas mosmarrëveshjes që kjo e fundit kishte me burrin e saj I.R, i cili dyshonte se e njëjta po e tradhton.

Një kërkesë e tillë është paraqitur në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, nga prokurorja Huma Jetishi, gjatë fjalës përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroja Jetishi tha se pas administrimit të provave, deklaratave të dëshmitarëve, të dhëna në procedurën paraprake, dëgjimi i babait të të dëmtuarës A.R- dëshmitarit Sh.K, është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Sipas saj, dëshmitari Sh.K. mjaft mirë e përshkruan se e dëmtuara në stacionin policor kur e kishte paraqitur rastin në prezencë të policisë, kishte treguar se ishte kanosur nga kunati i saj- i pandehuri R.R. me fjalët se “nëse e vërtetoj se e ke tradhtuar vëllanë tim, ka me të vra ty dhe babain tënd”.

Prokurorja i ka kërkuar gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe atij t’i shqiptojë një dënim meritor.

Ndërkaq, i akuzuari R.R, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata lirimin e tij nga akuza që i vihet për barrë, duke mohuar pretendimet e prokurorisë që ai të ketë kryer një vepër të tillë penale.

“Kërkoj nga gjykata të më liroj nga përgjegjësia penale, ngase jam i pafajshëm dhe më ka shkaktuar mjaft dëm kjo akuzë e pabazë”, deklaroi i akuzuari.

Para se të jepej fjala përfundimtare, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Sh.K.

Dëshmitari ka deklaruar se pas ndarjes së vajzës së tij nga bashkëshorti, atë ditë i ka kërkuar që vajzën t’ia sjellin në shtëpi, por që ish-bashkëshorti i saj nuk e ka sjellë, por ka telefonuar që të shkojë ta marrë atë.

Ai shtoi se nga frika, e ka lajmëruar policinë në Viti dhe policia e kanë sjellë në stacion policor vajzën.

Aty  thotë se vajza ka treguar se kunati i saj, në këtë rast i akuzuari R.R e kishte kërcënuar me fjalët “nëse e vërtetoj se e ke tradhtuar vëllanë tim, ka me të vra ty dhe babain tënd”.

Më pas, gjykatësi Nexhat Aliu, ka thënë se pas fjalëve përfundimtare të palëve në procedurë, ky shqyrtim gjyqësor ka përfunduar dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet brenda afatit ligjor.

Ndryshe prokurorja gjatë seancës kishte propozuar që seanca e sotme të shtyhet për një ditë tjetër, në mënyrë që të sigurohet prezenca e të dëmtuarës, por ky propozim është refuzuar nga gjykatësi Aliu, me arsyetim se lënda është në prag të parashkrimit dhe se gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet duke e ftuar me ftesë dhe lëshuar urdhëresë.

Gjykatësi shtoi se sipas konfirmimit të policisë dhe po ashtu babait të saj, e dëmtuara jeton në Gjermani dhe nuk e di se kur mund të vij, andaj dhe janë lexuar deklarata e dhëna në polici.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit më 4 mars 2019, R.R,  po akuzohet se më 16 shkurt 2019, në Viti, me dashje, me fjalë, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën A.R, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje që e dëmtuara kishte me burrin e saj I.R, i cili ka dyshuar se e njëjta po e tradhton, kunati i saj-i pandehuri R.R, e ka kanosur të dëmtuarën duke i thënë: “nëse e vërtetoj që e ke tradhtu vëllanë tim, kam me të vra ty dhe babain tënd”.

Me çka, thuhet se i pandehuri me veprimet e tij tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë.

Me këto veprime, R.R,  akuzohet se ka  kryer veprën penale “Kanosja”  nga neni 185 , paragrafi 1  të Kodit Penal.