Lajme

LDK akuzon VV për mostransparencë, Halimi tregon qëndrimet e partisë për dialogun

08/21/2022 14:43
nga:G B

Të enjten e 18 gushtit u mbajt takimi në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, në Bruksel.

Nga ai takim nuk pati marrëveshje por që palët u pajtuan të vazhdojnë bisedimet.

Lidhur me takimin dhe rezultatin, pra mos arritjen e një marrëveshje, Sibel Halimi, zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së LDK-së, thotë për Gazeta Blic se nuk dihet çfarë në të vërtetë u bisedua në takimin e Brukselit.

Ajo thekson se LDK ka të njëjtat qëndrime për dialog, që të ruhet integriteti e territorialiteti, si dhe të ketë njohje reciproke.

“Imazhet e komentimet për lëvizjet e kryeministrit nuk janë aq të mjaftueshme për të konkluduar çfarë në të vërtetë u bisedua në takimin e Brukselit. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet në të njëjtat qëndrime për sa i përket dialogut; ruajtja e integritetit territorial, si dhe njohja nga Serbia mbeten parime qenësore”, thotë Halimi.

Ajo për Gazeta Blic shton se VV është partia me nivelin më të qartë të mostransparencës dhe kjo po e bllokon përçimin e së vërtetës tek qytetarët lidhur me përmbajtjen e agjendën e dialogut.

“Derisa, tanimë si për të gjitha proceset në të cilat po kalon vendi ynë, partia në pushtet mbetet në nivelin më të lartë të mostransparencës. Kjo qasje, përpos që po e bllokon përçimin e së vërtetës tek qytetarët lidhur me përmbajtjen e agjendën e dialogut, partisë në pushtet po i krijohet mundësia të shtrijë gjuhën propaganduese të militantëve për tifozllëk që të mbulojë paaftësinë qeverisëse”, vlerëson Sibel Halimi./Gazeta Blic/