Kosova dhe Serbia nuk arritën ujdi rreth reciprocitetit me dokumente e targa të enjten në Bruksel.
Megjithatë, nga Bashkimi Evropian thanë se do të tentojnë të bindin liderët e të dyja vendeve, kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për arritjen e një marrëveshjeje rreth kësaj teme deri para 1 shtatorit.
1 shtatori është data kur Kosova zotohet se do të nisë aplikimin e reciprocitetit, masë kjo që kundërshtohet nga Serbia.
Ish-shefi i delegacionit kosovar për negociata me Serbinë, Avni Arifi thotë se faza aktuale e dialogut dallon krejt nga ato të mëhershmet prejse ka nisur procesi dialogues më 2011.
Sipas tij, bisedimet me Serbinë duhet të finalizohen me njohje reciproke.
“Bisedimet me Serbinë duhet të përmbyllen me njohje reciproke dhe në këtë proces nevojitet një transparencë e madhe e institucioneve, koordinim me të gjithë akterët dhe një rol udhëheqës të SHBA-së në këtë proces. Kjo është domosdoshmëri”, theksoi Arifi për “Front Online”.
Ky i quajti të rreme të gjitha qëndrimet e Kurtit karshi dialogut.
“Albin Kurti kur është në pyetje dialogu nuk meriton asnjë konsideratë për asnjë veprim gjatë karrierës së tij sepse koha tregojë se çdo qëndrim që e ka pasë ka qenë thjesht popullizëm dhe mashtrim elektoral”, u shpreh Arifi.
Arifi, i cili për një kohë shërbeu edhe si ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, pati një këshillë për opozitën.
“Do të ishte gabim për opozitën dhe kuvendin që të koncentrohej në konsistencën e qëndrimeve të Kryeministrit e të mos merrej me substancën e asaj çfarë po ndodh realisht në Bruksel”, theksoi Arifi.
Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu, të enjten ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Takimi i 18 gushtit 2022 ishte i treti midis Kurtit dhe Vuçiqit, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy të tjerë kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.
Dyshja, pos me figura me peshë të BE-së, të mërkurën e kësaj jave mbajtën mbledhi edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ky i fundit tha se do të intervenojnë në rast se përshkallëzohet situata në veri të Kosovës, atje ku më 31 korrik serbët barrikaduan rrugët që të çojnë në pikëkalimet kufitare, Jarinje e Bërnjak, si shenjë revolte ndaj reciprocitetit të Kosovës që do të niste së zbatuari më 1 gusht.
Reciprociteti u shtye për 1 shtator nga ekzekutivi kosovar, pas kërkesës së Amerikës.


