Lajme

Kurti: Zbatimi i vendimit për targat dhe dokumentet serbe përbën veprim legal

08/17/2022 17:35
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenbertg, ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë arsye të jenë vigjilentë këto ditë për shkak “të qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi”.

I pyetur nëse ka mundësi të zmbrapset nga hapi për të zbatuar vendimin për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se implementimi përbën veprim legal.

“Po zbatojmë diçka që është legale sipas ligjit dhe kushtetutës sonë, dhe diçka për të cilën është zotuar Serbia në dialogun e Brukselit. Nuk shohim rrugë tjetër dhe besoj se është në të mirën tonë të bëjmë legjitime gjërat në shtetin tonë”.

Kurti është pyetur edhe nëse e pranon deklaratën se të dyja palët janë përgjegjëse për përshkallëzim të tensioneve.

“Në njërën anën kemi policinë e shtetit demokratik të Kosovës, dhe në anën tjetër kemi struktura ilegale serbe që janë kthyer në banda kriminale”.