Lajme

Stoltenberg: KFOR i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit të situatës në Kosovë

08/17/2022 16:14
nga:Astrit Gashi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, se situata në teren në Kosovëështë përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit të situatës.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës, flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.