Lajme

Stoltenberg pas takimit me Vuçiqin: I takon Beogradit dhe Prishtinës të shmangin përshkallëzimin e situatës

08/17/2022 16:09
nga:Astrit Gashi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Stoltenberg ka thënë se situata në teren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit të situatës.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia respekton misionin e KFOR-it.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur. Nuk kemi nevojë që të shohim secilën herë situatën sipas një perspektive. E respektojmë misionin e KFOR-it dhe njoftimi i tyre atë natë ka ndikuar në ulje të tensioneve”, duke iu referuar deklaratës së misionit të NATO-s më 31 korrik, se është e gatshme të intervenojë nëse përshkallëzohet situata në veri të Kosovës.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiq, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa me akronime të Kosovës, sikurse PZ, KM e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Prishtina i konsideron këto targa ilegale.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 korrik tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti, sipas mandatit që derivon nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Qëndrim të njëjtë shprehu edhe Stoltenberg gjatë një bisede telefonike me Vuçiqin më 3 gusht.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë”, kishte thënë Stoltenberg në Twitter pas bisedës me Vuçiqin.

Serbët lokalë më 31 dhe 1 gusht ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe ekzekutivi u pajtua që të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.