Çështja e Asociacionit vazhdon të jetë një nga temat më aktuale.
Formimin e tij e kërkon Serbia, ndërsa e kundërshton Kosova, derisa atë e ka shpallur antikushtetuese Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, sot ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë nuk është model unik dhe se shembuj të një asociacioni të tillë tashmë ekzistojnë në zonat multietnike në Evropë.
“Ideja e këtyre negociatave është përgatitja e Kosovës dhe Serbisë për të ardhmen evropiane dhe mendoj se ajo që mund të shohim në shoqëritë multietnike në mbarë Evropën është e ngjashme me atë që është paraparë në Kosovë, që është Asociacioni i Komunave Serbe. Pra, nuk do të ishte një shembull unik sepse modele të ngjashme ekzistojnë në pjesën tjetër të Evropës”, tha ai.
Për këtë, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), për Gazeta Blic thotë se deklarata është në një linjë me zotimin e Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë për të formuar Asociacionin.
“Republika e Kosovës është zotuar para partnerëve ndërkombëtarë për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, andaj edhe deklaratat e ambasadorit amerikan janë në këtë linjë”, thotë ai.
Sipas Miftaraj, edhe Eskobar ka thënë se asociacioni do të ketë statut në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
“Sikurse, me vet faktin se z. Eskobar e ka potencuar se Statuti i asociacionit duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, i lejon hapësirë Kosovës të hartojë një statut i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk cenon funksionalitetin institucional të Republikës”, thekson ai për Gazeta Blic.
Ai shton se duhet kërkuar garancë ndërkombëtare se formimi i asociacionit do të funksionalizohet përmes marrëveshjes finale që do te përmbyllej me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi në OKB.
“Sikurse, krahas vullnetit të Kosovës për të formuar asociacionin, në mënyrë paralele duhet të insistohet dhe kërkohet garancë ndërkombëtare se formimi i asociacionit do të funksionalizohet përmes marrëveshjes finale që do te përmbyllej me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi në OKB”, deklaron Ehat Miftaraj nga IKD./Gazeta Blic/


