Ditën e djeshme, Ministria e Ekonomisë njoftoi se është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike, por kufizimet e rrymës do të vazhdojnë edhe sot, raporton GazetaBlic.
Kjo u bë e ditur nga zyrtarja për medie nga KEDS, Margarita Rashiti e cila i tha GazetësBlic që kanë pranuar instruksione nga KOSTT për kufizim të energjisë elektrike edhe sot.
Rashiti thotë se këto instruksione nga KOSTT janë të obliguar t’i zbatojnë.
“Ne edhe sot kemi pranuar instruksione nga KOSTT për kufizim të energjisë elektrike, instruksione këto të cilat jemi të obliguar t’i zbatojmë. Aktualisht, deri në ora 12:00 janë ndërprerë kufizimet, por po presim instruksionet e rradhës”, tha Rashiti për GazetaBlic.
Kujtojmë se, dje Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike dhe se janë hequr përkohësisht reduktimet e energjisë elektrike.
Përmes një komunikate për media, ministria ka njoftuar se kjo është mundësuar nga bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, ka bërë të ditur ME-ja.
“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, ka thënë ME-ja.
Ministria ka thënë se institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim.
“Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike”, ka thënë ME-ja.
Shqipëria ndihmon Kosovën, hiqen përkohësisht reduktimet e rrymës
Kriza me rrymë, Haradinaj: Të kesh reduktime në gusht faji dihet ku është, paaftësia e kësaj qeverie


