Sporti

Vajza me flamurin e Ukrainës dëbohet nga ‘stadiumi’, tenistet ruse u ankuan se po i pengon!

08/16/2022 11:45
nga:L J

Ndeshja e tenisit në turneun WTA në Cincinnati mes tenisteve ruse Ana Kalinskaja dhe Anastasia Potapova u ndërpre për shkak se sportistet ruse u ankuan për një vajzë të ulur në tribunë e mbështjellë me flamurin ukrainas.

Mbi kokën e saj ishte një kurorë me lule, gjithashtu pjesë e traditës ukrainase, përcjell GazetaBlic Sport.

Siç raporton gazetari i New York Times, Ben Rothenberg, gjyqtarja Morgane Lara e ndërpreu ndeshjen dhe shkoi të fliste me një vajzë të quajtur Lola.

“Nuk është shumë gjest i bukur që je ulur e mbështjellur me flamur”, tha gjyqtarja dhe tifozja iu përgjigj: “Nuk është shumë bukur të sulmosh vendin e dikujt tjetër”.

Vajzës iu kërkua më vonë nga sigurimi, dyshohet se në mënyrë mjaft të vrazhdë, të largohej nga tribuna në Cincinnati, nën kërcënimin se do ta thërrisin policinë. Lola nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të linte ndeshjen e shoqëruar nga sigurimi. Meqë ra fjala, tifozët që ishin rreth saj thanë më vonë se vajza nuk ka krijuar incidente.

/GazetaBlic Sport