Lajme

Haradinaj thirrje publike Kurtit: E ke humbur rrugën, nuk është marre por nder të tërhiqesh – po e rrezikon vendin

08/15/2022 19:44
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i është drejtuar publikisht kryeministrit Albin Kurti, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai i ka thënë se nuk është turp të thotë që ka hyrë në zanat të huaj dhe që e ka humbur rrugën, por është nder të tërhiqet.

Ai ka thënë se parametrat e Kurtit janë të rrezikshëm për vendin, derisa i ka përmendur dialogun, krizën me energjinë e shumë të tjera.

“Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karrigia e kryeministrit”, ka shkruar ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

Po ju drejtohem juve Albin Kurti, kryeministrit të vendit tim,

Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku. Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq.

Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin:

Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë;

Në rrafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar;

Qeverisja juaj e ka qitë në gjunjë ekonominë e vendit;

Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit;

Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore;

Shtresën e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale;

Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero;

Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katostrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër.

Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më.

Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karrigia e kryeministrit.