Lajme

Në rastin e Pjetër Shalës, gjykata pranon viktimën e dytë në proces gjyqësor

08/15/2022 17:09
nga:G B

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë njoftuar se me 11 gusht, gjykatësi i procedurës paraprake, ka nxjerrë vendimin e dytë mbi pjesëmarrjen e viktimave në rastin kundër Pjetër Shalës, ku është pranuar një viktimë  pjesëmarrëse.

“Më 11 gusht 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake Giju nxori vendimin e dytë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen kundër Pjetër Shalës. Një parashtrues i kërkesës u pranua si viktimë pjesëmarrëse dhe personi do përfshihet në grupin ekzistues të viktimave (Grupi 1 me një person tjetër të pranuar më parë) dhe përfaqësohet nga mbrojtësja e njëjtë  e viktimave”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe,  Zyra për Pjesëmarrje të Viktimave (ZPV) i kishte rekomanduar gjykatësit paraprak, Nicolas Guillou, që të pranojë edhe një person si viktimë pjesëmarrëse në procedurë.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.