Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili sot tha se opozita dhe disa media po bëjnë fushatë agresive kundër tij.
Tahiri në reagimin e tij ka theksuar se “Qeveria e pranon publikisht dështimin me investime kapitale”.
“Jo vetëm opozita, e gjithë Kosova po e sheh paaftësinë e Qeverisë e cila ka realizuar ZERO projekte kapitale për 6 muajt e parë të vitit 2022”, ka shkruar ai.
Reagimi i plotë:
Qeveria e pranon publikisht dështimin me investime kapitale
Raporti i Thesarit të shtetit i kundërshton tabelat exel të Ministrit Murati.
Ministri po e pranon që nuk ka investime kapitale, e pa investime nuk ka zhvillimi ekonomik
Jo vetëm opozita, e gjithë Kosova po e sheh paaftësinë e Qeverisë e cila ka realizuar ZERO projekte kapitale për 6 muajt e parë të vitit 2022.
Ministri Murati në gjithë statusin e tij, ku përmes gjuhës dëshpruese mundohet ta arsyetojë qeverisjen e zero-ve, për ta bërë dëshprimin akoma më të dukshëm, paska thënë vetëm një fjali në mënyrë dëshirore për investime kapitale “Po, edhe investimet kapitale do të bëhen”. Kur do të bëhen ministër pasi që norma e inflacionit ka thyer çdo rekord, kriza ka prekur secilin qytetarë në secilën pore te jetës. Jeni ministër, madje ministër i zerove. Ushtroje funksionon tënd.
4 Ministri të kësaj Qeverie kanë realizuar 0% buxhet për investime kapitale e ky është fakt që as Ministri Murati nuk po e mohon; jo se nuk don, por nuk mundet!
– Nga 53 milion Euro për armatim e pajisje për ushtri, kjo Qeveri i ka shpenzur vetëm pak mbi 2 milion, edhe ky është fakt;
– Nga 5 milion euro për Çerdhe, 0 euro janë shpenzuar, asnjë qerdhe nuk është filluar të ndërtohet këtë vit, e lëre më të përfundohet;
– 150 projekte kapitale nuk kanë filluar fare në Ministri të infrastrukturës;
– Mbi 40 projekte nuk kanë filluar fare në Ministri të Arsimit;
– Mbi 100 projekte nuk kanë filluar fare në Ministri të Kulturës.
Shiheni Aneksi 3, Buxheti dhe pagesat sipas organizatave buxhetore nga niveli qendror, ku janë të dhënat për të gjitha kategoritë e shpenzimeve dhe pagesave qeveritare që e mohojnë deklarmin e Ministrit Murati.
Prandaj kjo është Qeveri e ZERO projekteve, sepse gjithçka që shumëzohet me ZERO, mbetet vetëm ZERO.

Ndërkohë ky është reagimi i Hekuran Muatit pa ndërhyrje:
Pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të vitit 2022 janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë.
Me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit. Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit.
Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën.
Nga grafiku më poshtë, mund të shihet se periudha 6-mujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje.
Pra, argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë e vendit, nuk qëndron aspak, sepse sic edhe mund të shihet nga grafiku, shpenzimet dhe pagesat nga buxheti i shtetit janë më të lartat ndonjëherë.
Po, për opozitën ndoshta edhe nuk konsiderohet zhvillim ekonomik kur një nënë me shtesat që merr për fëmijët blen qumësht nga fermeri i fshatit, sepse opozita më me dëshirë ato para do t’ia jepte një kompanie në emër të punëve shtesë pa asnjë procedurë a bazë ligjore, dhe atë shpenzim do t’a quante investim kapital e zhvillim ekonomik.
Për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë nuk është zhvillim ekonomik, sepse në buxhet kjo mbështetje figuron si shpenzim tek kategoria Subvencione e Transfere, e jo si Shpenzim Kapital. Dhe këtë opozita e quan skemë sociale. Sepse për opozitën, zhvillim ekonomik është vetëm atëherë kur paratë e taksapaguesve ua jep supermarketeve.
Për opozitën as rritja e subvencioneve për bujqit nuk është mbështetje e ekonomisë, sepse po të pyetej opozita, më mirë është të ipen 12 milionë euro për një tender të vetëm për konsulencë, sesa të mbështeten bujqit për sigurimin e bukës së vendit.
Në këtë pikëpamje është e qartë se kemi dallime.
Por kjo gjë tashmë është përcaktuar me 14 shkurt 2021. Qytetarët kanë zgjedhur modelin zhvillimor që kemi premtuar ne, dhe atë po e realizojmë.
Po, edhe investimet kapitale do të bëhen.
Njësoj sikur u bë vaksinimi, për të cilin thanë se nuk do të bëhej kurrë.
Njësoj sikur u bënë shtesat për fëmijë e për nënat lehona, për të cilat thanë se nuk keni buxhet.
Njësoj sikur po forcohet ushtria për të cilën thanë se nuk e ka të lejuar të blejë armatim.
Njësoj sikur që do të bëhen të gjitha ato që kemi premtuar. Vetëm duhet kohë e durim.
Të diele të këndshme!


