Lajme

Hoxhaj nuk pret asgjë nga takimi Kurti-Vuçiq: Kjo është koha e humbjes së shansave për marrëveshjen historike!

08/11/2022 19:25
nga:Genita C

Ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur rreth takimit Kosovë-Serbi që do të mbahet me 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut, ku thotë se Kurti në këtë takim do të merret vetëm me problemet që i krijon vet, raporton GazetaBlic.

Hoxhaj në një prononcim për GazetaBlic, thotë se epilogu i dialogut me Serbinë do të jenë vetëm problemet e shkaktuara nga Kurti, për sa kohë është ai që e udhëheqë qeverinë.

“Se çfarë do të diskutohet në takimin e 18 gushtit midis Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti nuk tha asgjë as në Kuvend e as dje në mbledhjen e Qeverisë! Por, një gjë është e sigurt, se ai do të merret vetëm me problemet që i krijon vet! Ky do të jetë epilogu i dialogut me Serbinë për sa kohë është Kurti ai që e udhëheqë qeverinë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se Kosova është në një izolim të vetëshpallur dhe sipas tij, kjo i ndihmon më së shumti Serbisë, teksa ka folur edhe për politikën e jashtme.

“Dikur pretendonte se Kosova po bënë dialog pa parime, e tani pikërisht ai i cili po dialogon pa parime, pa qëllim final dhe pa platformë! Kosova nën udhëheqjen e tij është në një izolim të vetëshpallur, e kjo i ndihmon më së shumti Serbisë me gabimet dhe dështimet e saj në politikën e jashtme. Kurse politika e jashtme e Kosovës është tkurrur në dialog dhe dialogu në vendime teknike me qëllime populiste!”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj thotë se Qeveria Kurti po humb shansin për një marrëveshje historike me Serbinë për njohje të ndërsjellë, edhe pse sipas tij miqtë amerikanë e evropianë kërkojnë dialog për këtë temë.

Sipas Hoxhajt, ky takim i 18 gushtit nuk do sjell asgjë tjetër përveç “Krijo situata me probleme dhe zgjidhi gjoja, ndërro temat dhe largo vëmendjen nga kriza ekonomike”.

“Kjo është kohë e humbjes së shansave për një marrëveshje historike me Serbinë për njohje të ndërsjellë, në interes të Kosovës! Kur miqtë tanë amerikanë dhe evropianë kërkojnë dialog për kryetemën – njohjen e ndërsjellë -, z. Kurti në vend se të merret me tabelën kryesore dhe emërtimin e Kosovës, që është anëtarësimi në OKB, ai merret me tema populiste! Kështu, deri në fund, do të kemi qasjen “Krijo situata me probleme dhe zgjidhi gjoja, ndërro temat dhe largo vëmendjen nga kriza ekonomike”, ndërkohë që kriza ekonomike e ka përfshirë Kosovën!”, përfundon Hoxhaj./GazetaBlic/